Alberta refuzon shkëputjen nga Kanadaja, Carney: Zgjodhët unitetin

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Otavë, 20 tetor, Zhurnal.mk – Votuesit në provincën kanadeze të Albertës kanë kundërshtuar me shumicë dërrmuese nismën për shkëputjen nga Kanadaja, sipas rezultateve paraprake të votimit.

Më shumë se 76% e votuesve refuzuan shkëputjen e Albertës nga Kanadaja, raportuan sot transmetuesit CBC dhe “CTV News”.

“Banorët e Albertës bënë një zgjedhje të qartë. Ata zgjodhën unitetin, ndërtimin e së ardhmes së bashku dhe kujdesin për njëri-tjetrin”, deklaroi kryeministri kanadez Mark Carney. “Mbi të gjitha, banorët e Albertës zgjodhën Kanadanë”, shtoi ai.

“Ndërsa numërimi i votave për të gjitha çështjet vazhdon, rezultatet e sotme për çështjen kryesore, atë të shkëputjes, tregojnë se banorët e Albertës dhe të gjithë kanadezët do të ecin përpara së bashku, me një qëllim të ripërtërirë dhe ambicie më të mëdha”, shtoi ai.

Banorët e Albertës morën pjesë dje në një referendum, ku u pyetën nëse provinca duhet të ndjekë procedurat për të organizuar një referendum të dytë, ligjërisht të detyrueshëm, për shkëputjen nga Kanadaja.

Ata iu përgjigjën gjithashtu nëntë pyetjeve të tjera, që lidheshin me emigracionin dhe çështjet kushtetuese.

Alberta, e cila ndodhet në pjesën perëndimore të Kanadasë, është një nga provincat më konservatore të vendit.

Shumë mbështetës të pavarësisë argumentojnë se Alberta jep një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik të Kanadasë, por se qeveria federale në Otavë nuk i jep asaj peshën e duhur në vendimmarrjen politike.

Me rreth 5 milionë banorë, Alberta është një nga provincat më të pasura të Kanadasë dhe qendra e industrisë së naftës dhe gazit natyror.

Ajo zotëron rezerva të mëdha rëre bituminoze, një lëndë që përpunohet për të nxjerrë naftë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër