Prokuroria: E papranueshme që të dëshmojnë pronari i “Puls” dhe djali i tij

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Prokuroria Publike i vlerësoi si plotësisht të papranueshme propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e pronarit të diskotekës “Puls”, Dejan Jovanov, dhe djalit të tij Mihajlo Jovanov, në procesin gjyqësor kundër nëntë zyrtarëve policorë të akuzuar për lëshime gjatë kontrolleve dhe dhënies së pëlqimeve për objektin hotelierik.

Prokurorja publike Spasenka Andonova, në seancën e sotme në Gjykatën Themelore Penale Shkup, theksoi se dëshmitarët e propozuar nuk kanë asnjë lidhje me thelbin e aktakuzës.

“Për Prokurorinë, propozime të tilla ishin absolutisht të papranueshme. Së pari, ato nuk kanë asnjë pikë takimi me atë që është objekt i aktakuzës, ndërsa rrethanat që mbrojtja i paraqiti si arsye pse këta persona janë propozuar si dëshmitarë, për Prokurorinë nuk ishin të pranueshme”, deklaroi prokurorja publike Spasenka Andonova pas seancës së sotme.

Lidhur me pretendimet e mbrojtjes se përmes këtyre dëshmive do të provohej se Dejan Jovanov nuk kishte marrë pagë për disa muaj, prokurorja sqaroi se fokusi i aktakuzës është shumë më i gjerë.

“Fokusi i aktakuzës nuk është vetëm marrja e pagës nga Dejan Jovanov, por një varg i tërë veprimeve që janë ndërmarrë, përkatësisht nuk janë ndërmarrë në masën e duhur nga zyrtarët policorë, gjë që ka çuar në funksionimin e papenguar të subjektit juridik, respektivisht në realizimin e qarkullimit financiar gjatë asaj periudhe kohore”, tha Andonova.

Prokuroria u deklarua edhe për provat e tjera të propozuara. Ajo u pajtua me dëgjimin e një pjese të dëshmitarëve të propozuar nëse nuk ekziston provë me shkrim, por refuzoi propozimet për ekspertizë ekonomiko-juridike dhe gjetje teknike.

Nga ana tjetër, mbrojtja reagoi duke vlerësuar se provat po sigurohen në mënyrë selektive dhe kërkoi hedhjen poshtë të të gjitha pretendimeve.

Procesi gjyqësor ndaj nëntë policëve të akuzuar për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”, të cilët më herët deklaruan se nuk ndihen fajtorë, do të vazhdojë më 5 nëntor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër