Moskë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Veprimet ushtarake të SHBA-së në rajonin e Gjirit Persik po shkaktojnë probleme të mëdha në furnizimin me energji dhe në tregjet botërore, deklaroi sot presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, gjatë një samiti të vendeve eksportuese të gazit në Moskë.
Pezeshkian paralajmëroi se konflikti ushtarak me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë globale.
“Sot, ndërhyrjet ushtarake të SHBA-së në rajonin e Gjirit Persik nuk prekin vetëm vendet e rajonit, por ndikojnë edhe në formimin e çmimeve, furnizimin me energji dhe transportin e saj, duke shkaktuar tronditje të mëdha”, tha ai.
Gjatë forumit ekonomik, presidenti rus Vladimir Putin kritikoi sanksionet e vendosura ndaj sektorit energjetik të Iranit.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Putin deklaroi se këto sanksione kanë pasoja jashtëzakonisht të dëmshme për të gjithë, si për prodhuesit, ashtu edhe për konsumatorët. Ai bëri thirrje për përfundimin e konflikteve.
Shqetësimet për rifillimin e një konflikti të hapur ushtarak mes SHBA-së dhe Izraelit, nga njëra anë, dhe Iranit, nga ana tjetër, janë shtuar sërish gjatë javëve të fundit.
Disa vende, përfshirë Rusinë, po përpiqen të ndërmjetësojnë, për të lehtësuar dialogun mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Javën e kaluar, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, vizitoi Teheranin.
Rusia është një aleate e rëndësishme e Iranit.
Prej vitesh, Teherani po përpiqet të sigurojë nga Moska, avionë luftarakë modernë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.
Megjithatë, aftësia e Rusisë për t’i ofruar ndihmë ushtarake Iranit është e kufizuar për shkak të luftës në Ukrainë.
