Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Sot pritet të zgjidhet drejtuesi i ri i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i cili do ta pasojë Islam Abazin në krye të këtij institucioni.
Në garë për këtë pozitë janë pesë prokurorë: Jovan Cvetanovski, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi.
Sipas procedurës së përcaktuar, votimi do të zhvillohet sot, më 28 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Drejtuesi i ri do të zgjidhet përmes votimit të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë të prokurorëve publikë.
Kush janë pesë kandidatët?
Jovan Cvetanovski është prokuror në Prokurorinë e Lartë Publike, ndërsa Trajçe Pelivanov, gjithashtu prokuror në këtë institucion, më parë ka qenë pjesë e Prokurorisë Speciale Publike.
Lidija Raiçeviq vjen nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, ndërsa Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi aktualisht punojnë në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Të pesë kandidatët i kanë prezantuar programet e tyre para Këshillit të Prokurorëve Publikë, duke theksuar nevojën për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit të lartë, pastrimit të parave dhe rritjen e efikasitetit të institucionit.
Zgjedhja e drejtuesit të ri vjen pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të Islam Abazit, i cili më herët kishte njoftuar se nuk do të kandidonte për një mandat të dytë.
Drejtuesi i ri do të përballet me sfida të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe me pritshmëritë për forcimin e pavarësisë dhe besueshmërisë së Prokurorisë.
