Të rinjtë të qëndrojnë në vend, institucionet me program konkret për të ardhmen e shtetit!

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut prej vitesh po përballet me një nga sfidat më të mëdha demografike dhe ekonomike largimin masiv të të rinjve. Çdo strategji zhvillimore, çdo investim dhe çdo reformë institucionale humb një pjesë të vlerës së saj nëse vendi vazhdon të humbë kapitalin më të rëndësishëm, rininë. Prandaj, mesazhi i kryeministrit Hristijan Mickoski gjatë nënshkrimit të Programit Kombëtar për Punë Dinjitoze 2026–2030, se të rinjtë duhet të qëndrojnë në vend, të ndërtojnë karrierë dhe të krijojnë familje, nuk është vetëm një deklaratë politike, pasi është një pranim i hapur se emigrimi po shndërrohet në kërcënim strategjik për të ardhmen e shtetit, shkruan Zhurnal.

Programi Kombëtar për Punë Dinjitoze 2026–2030

Nënshkrimi i Programit Kombëtar për Punë Dinjitoze dje në qeveri shënon një hap strategjik për përmirësimin e tregut të punës, rritjen e pagave dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve. Ky dokument synon krijimin e vendeve më të mira të punës dhe sigurimin e pagave dinjitoze që mbulojnë shpenzimet reale të jetesës deri në vitin 2030.

A kushte reale që një i ri të zgjedhë të qëndrojë?

Në dekadën e fundit, mijëra të rinj janë larguar jo vetëm për shkak të pagave më të larta në Perëndim por për shkak të mungesës së perspektivës, pasigurisë në tregun e punës, punësimeve partiake, mungesës së meritokracisë dhe bindjes se mundësitë profesionale nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë. Prandaj, çështja e punës dinjitoze nuk kufizohet vetëm te paga mujore. Ajo lidhet me ndjenjën e sigurisë, respektit profesional dhe mundësisë për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme.

Programi Kombëtar për Punë Dinjitoze që u nënshkrua dje në Qeveri synon pikërisht këto elemente. Reformat në legjislacionin e punës, modernizimi i institucioneve, zhvillimi i aftësive sipas nevojave të tregut dhe forcimi i inspektimeve janë hapa që në teori mund të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e klimës së punës. Por përvoja e deritanishme tregon se dokumentet strategjike në Maqedoninë e Veriut shpesh kanë qenë më të suksesshme në letër sesa në praktikë.

Ky është testi i vërtetë i programit pasi qytetarët nuk do ta gjykojnë nga numri i faqeve apo partnerët ndërkombëtarë që e mbështesin, por nga rezultatet konkrete. Nëse një i ri pas diplomimit arrin të gjejë punë të denjë në profesionin e tij, nëse një grua ka mundësi reale për avancim në karrierë dhe nëse një familje mund të planifikojë të ardhmen pa menduar emigrimin, atëherë programi do të konsiderohet i suksesshëm.

Disbalanca mes nevojave dhe tepricave të tregut e trashë problemin

Një aspekt i rëndësishëm është edhe mospërputhja ndërmjet arsimit dhe kërkesave të ekonomisë. Prej vitesh universitetet prodhojnë kuadro që shpesh nuk gjejnë vend në tregun e punës, ndërsa kompanitë ankohen për mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Ky paradoks ka krijuar një cikël të vazhdueshëm pakënaqësie. Nëse programi arrin të ndërtojë ura më të forta ndërmjet sistemit arsimor dhe sektorit privat, atëherë mund të krijohen kushte më të mira për punësim dhe zhvillim profesional.

Po aq e rëndësishme është edhe përfshirja e grave në ekonomi. Fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm çështje sociale apo barazie gjinore. Ai është një domosdoshmëri ekonomike. Vendet që arrijnë të rrisin pjesëmarrjen e grave në tregun e punës përfitojnë më shumë produktivitet, më shumë zhvillim dhe më shumë stabilitet social. Në këtë drejtim, angazhimi i qeverisë duhet të shoqërohet me masa konkrete dhe të matshme.

Përpos kushteve duhet rikthim i besimit të humbur

Sfida më e madhe mbetet besimi pasi të rinjtë nuk largohen vetëm për arsye ekonomike. Shpesh ata largohen sepse nuk besojnë se gjërat do të ndryshojnë. Pikërisht për këtë arsye, zbatimi i programit duhet të jetë transparent, i matshëm dhe i pandikuar nga logjika politike afatshkurtër. Vetëm rezultatet e prekshme mund ta rikthejnë besimin e humbur.

Në fund, Programi Kombëtar për Punë Dinjitoze 2026–2030 mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një tregu pune më modern dhe më gjithëpërfshirës. Por ai nuk do të jetë zgjidhje magjike për problemin e emigrimit. Të rinjtë nuk do të qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut sepse ua kërkon politika. Ata do të qëndrojnë vetëm nëse shohin se mund të jetojnë me dinjitet, të ndërtojnë karrierë sipas meritës dhe të krijojnë një të ardhme të sigurt për familjet e tyre. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura