Zelensky kërkon më shumë raketa “Patriot” për Ukrainën

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Kiev, 28 tetor, Zhurnal.mk – Rusia ka lëshuar më shumë se 100 raketa balistike drejt kryeqytetit ukrainas, Kievit, dhe rajonit përreth brenda dy javësh, deklaroi  presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Po bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur sektorin tonë energjetik, infrastrukturën dhe logjistikën. Detyra është jashtëzakonisht e vështirë. Fatkeqësisht, ka pasur edhe viktima”, tha Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes.

Presidenti ukrainas përsëriti thirrjen drejtuar partnerëve ndërkombëtarë për të furnizuar Ukrainën me raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, me qëllim mbrojtjen nga sulmet ruse me raketa balistike.

“Nëse mbështetja e partnerëve tanë për Ukrainën do të mbetej po aq e fortë, veçanërisht sa i përket sistemeve ‘Patriot’ dhe kapaciteteve të tjera të mbrojtjes ajrore, Ukraina do të ishte në një pozicion krejtësisht të ndryshëm, shumë më të mirë edhe nga pikëpamja diplomatike”, deklaroi ai.

Zelensky theksoi se furnizimet po përballen me kufizime të konsiderueshme dhe se dërgesat e sistemeve të mbrojtjes ajrore po vonohen.

“Dua të falënderoj të gjithë partnerët që na ofrojnë mbështetjen në kohë. Por, fatkeqësisht, ka edhe vonesa”, u shpreh presidenti ukrainas.

Gjatë ditëve të fundit, Zelensky është ankuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara nuk po dërgojnë raketat që kishin premtuar dhe për të cilat ishte kryer pagesa. Ai bëri të ditur gjithashtu se pret që në muajin nëntor të zhvillohen bisedime trepalëshe mes përfaqësuesve të Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë.

Presidenti Zelensky nënvizoi se Evropa duhet të jetë pjesë e çdo përpjekjeje diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

“Ukraina ka këmbëngulur gjithmonë se Evropa duhet të jetë e pranishme dhe të ketë fjalën e saj në vendimmarrje. Dhe kjo, meqë ra fjala, vlen për të gjithë Evropën. Askush nuk duhet të përjashtohet nga procesi”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura