Nikolloski: Po realizojmë një agjendë ambicioze për zhvillimin e infrastrukturës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Po realizojmë agjendën ambicioze që kemi në pjesën e zhvillimit infrastrukturor të shtetit. Po ndërtojmë autostrada dhe hekurudha të reja, duke krijuar kështu kushte konkurruese për hyrjen e investitorëve të rinj, por njëkohësisht po përpiqemi të ruajmë edhe investitorët ekzistues, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në takimin me Odën Ekonomike Gjermane dhe Shoqatën Ekonomike Maqedono-Gjermane.

“Po përpiqemi, aq sa kemi mundësi, t’i ndihmojmë investitorët e huaj të drejtpërdrejtë që të kenë klimë sa më të favorshme në vend. Gjithashtu, dëshirojmë të motivojmë ardhjen e investitorëve të rinj. Sa u përket planeve për të ardhmen, kemi një fushatë mjaft ambicioze investimesh në fushën e infrastrukturës, e cila tejkalon dukshëm çdo përqindje logjike të investimeve krahasuar me produktin e brendshëm bruto ose me gjendjen e buxhetit. Nëse i shihni investimet kapitale nga buxheti apo ato që realizohen përmes ndërmarrjeve publike në pronësi të plotë shtetërore, do të vëreni se pjesa më e madhe e tyre i përket pikërisht këtij sektori”, tha Nikolloski para kompanive të pranishme.

Ai shtoi se po punohet për lidhjen hekurudhore të Korridorit 8, në segmentet autostradore të korridoreve dhe paralajmëroi ndërtimin e rrugëve të reja ekspres.

“Në këtë moment kemi një thirrje për seksionin e tretë të lidhjes hekurudhore me Bullgarinë. Tenderi është shpallur nga Departamenti i Prokurimeve Publike të Bashkimit Evropian, pra në mënyrën më transparente të mundshme. Ai do të zgjasë katër muaj; qëllimisht vendosëm afat më të gjatë që më vonë të mos ketë arsyetime se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për përgatitjen e ofertave tenderuese. Presim që edhe kompanitë gjermane të marrin pjesë.

Me BE-në, në kuadër të Planit të Rritjes, po punojmë për zhvillimin e krahut qendror të Korridorit 8. Faza e parë është rindërtimi dhe modernizimi i hekurudhës Shkup-Jegunoc-Tetovë-Gostivar. Faza e dytë është Gostivar-Kërçovë, ndërsa e treta ndërtimi i një segmenti krejtësisht të ri, i cili aktualisht nuk ekziston dhe që duhet të lidhë Kërçovën, Ohërin, Strugën dhe kufirin me Shqipërinë.

Po ashtu, vitin e ardhshëm, nëse sigurojmë financimin e nevojshëm, pres të kemi dy projekte të mëdha në pjesën lindore të vendit: dy rrugë ekspres që do të na lidhin me Republikën e Bullgarisë. Njëra kalon në drejtimin Koçan-Vinicë-Delçevë-kufiri me Bullgarinë, ndërsa tjetra në drejtimin Radovish-Strumicë-Novo Sellë-kufiri me Bullgarinë. Këto janë mundësi shtesë që po hapen para nesh”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

artikuj të ndërlidhura