Evropa përballet me rënie të natalitetit, gjendje e ngjashme edhe në Maqedoni

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Shkalla e fertilitetit në Maqedoni është 1,35 fëmijë të lindur të gjallë për grua, pothuajse në të njëjtin nivel me mesataren e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2024 ka arritur nivelin rekord më të ulët prej 1,34 fëmijësh për grua, tregojnë të dhënat për lëvizjet demografike të Eurostatit.

Shkalla e fertilitetit në BE gjatë vitit 2024 ka qenë më e ulëta që nga fillimi i monitorimit të kësaj serie statistikore në vitin 2001. Gjatë 20 viteve të fundit, ajo ka qenë vazhdimisht nën nivelin prej 2,10 fëmijësh të lindur të gjallë për grua, që konsiderohet i nevojshëm për zëvendësimin natyror të popullsisë, duke u lëvizur në intervalin nga 1,34 deri në 1,57 fëmijë për grua.

Gjendje e ngjashme paraqitet edhe në Maqedoni, megjithëse ekzistojnë dallime ndërmjet rajoneve. Mbi mesataren kombëtare prej 1,35 fëmijësh për grua janë Rajoni i Shkupit me normë 1,73, Rajoni Verilindor me 1,40 dhe Rajoni i Pellagonisë me 1,36. Nën mesataren kombëtare gjenden Rajoni i Pollogut dhe Rajoni Jugperëndimor me nga 1,27 fëmijë të lindur të gjallë për grua, Rajoni i Vardarit me 1,31, Rajoni Juglindor me 1,30 dhe Rajoni Lindor, ku shkalla është më e ulëta dhe arrin në 1,16 fëmijë për grua.

Të dhënat rajonale për Bashkimin Evropian tregojnë se nga gjithsej 1.165 rajone për të cilat ka të dhëna të disponueshme, në 439 rajone, ose 37,7 për qind, shkalla e fertilitetit ka qenë nën mesataren e BE-së. Në 714 rajone, ose 61,3 për qind, ajo ka qenë mbi mesatare, ndërsa në 12 rajone ka qenë e barabartë me mesataren e BE-së.

Shkallë prej të paktën 1,75 fëmijësh të lindur të gjallë për grua është regjistruar në 14 rajone në Bullgari dhe Francë, gjashtë rajone në Gjermani, tre në Slloveni dhe nga dy rajone në Hungari, Holandë dhe Rumani. Një normë e tillë është shënuar edhe në nga një rajon në Irlandë, Greqi, Kroaci dhe Sllovaki.

Normat më të ulëta të fertilitetit në BE janë regjistruar në Spanjë, veçanërisht në pjesën veriperëndimore dhe në disa rajone ishullore, si dhe në pjesën më të madhe të Italisë, sidomos në Sardenjë.

Shkallë më e ulët se një fëmijë i lindur i gjallë për grua është regjistruar në 16 rajone të Spanjës, shtatë në Poloni, pesë në Itali, tre në Greqi dhe nga dy rajone në Gjermani dhe Lituani.

artikuj të ndërlidhura