Prishtinë, 28 tetor Zhurnal.mk – Një protestë kundër dhunës dhe vrasjes së grave është zhvilluar sot në Prishtinë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Qindra qytetarë, aktivistë dhe familjarë të viktimës janë mbledhur për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet që kanë detyrimin të mbrojnë gratë nga dhuna.
Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nisi në sheshin “Zahir Pajaziti”, nën moton “Bashkë për Arlindën” dhe me mesazhin se vrasjet e grave duhet të trajtohen si urgjencë kombëtare.
Tubimit iu bashkuan edhe disa figura të njohura publike, mes tyre këngëtarja Nora Istrefi, aktorja Arjola Demiri dhe stilisti i flokëve Kaci Lleshi, të cilët shprehën solidaritet me familjen e viktimës dhe mbështetën kërkesat për drejtësi. Këngëtarja Nora Istrefi njoftoi më herët përmes rrjeteve sociale pjesëmarrjen e saj, duke theksuar se çdo grua meriton të jetojë e sigurt, pa frikë dhe pa u përballur me kërcënime ndaj jetës.
Gjatë marshimit, protesta u shoqërua me veprime simbolike dhe tensione përpara disa institucioneve shtetërore. Protestuesit hodhën bojë të kuqe mbi godinën e Policisë dhe në hyrje të godinës së Kryeministrisë, ndërsa drejt Prokurorisë dhe Policisë hodhën edhe mjete piroteknike.
Në muret e Ministrisë së Drejtësisë shkruan mesazhe, ndërsa përpara Kryeministrisë kërkuan shkarkimin e ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla. Gjatë protestës, pjesëmarrësit kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për mënyrën se si autoritetet kanë trajtuar rastet e dhunës ndaj grave.
Thirrjet “Dorëheqje”, “Shkarkojeni Donikën” dhe “Donika ik” u dëgjuan gjatë tubimit, ndërsa protestuesit shprehën pakënaqësinë për mënyrën se si institucionet kanë trajtuar rastet e dhunës ndaj grave.
Protestë masive në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt,
Në godinën e Kryeministrisë u shkruan gjithashtu fjalët e fundit që Arlinda Zekaj u kishte drejtuar institucioneve.
Një nga momentet kryesore të protestës ishte deklarata e aktivistes Liridona Sijarinja, e cila kritikoi reagimin institucional dhe paralajmëroi vijimin e mobilizimit qytetar. “Nuk ka më protesta paqësore”, deklaroi ajo, duke njoftuar se protestuesit do të qëndrojnë përpara godinës së Qeverisë.
“Sonte rrimë këtu. E ju ftojmë nesër që përsëri të vini këtu në orën 16:00”, u shpreh Sijarinja. Ajo ngriti gjithashtu pyetjen: “Edhe sa kufoma tjera duhet që ky shtet të na marrë seriozisht?”.
Pjesëmarrja e familjarëve të Arlinda Zekajt i dha protestës një dimension të drejtpërdrejtë, ndërsa organizatorët kërkuan që institucionet të mbajnë përgjegjësi për çdo dështim të mundshëm në parandalimin e dhunës.
Protestuesit kërkojnë masa konkrete për mbrojtjen e grave, hetimin e përgjegjësive institucionale dhe trajtimin e rasteve të dhunës me përparësi.
Organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vijojë edhe ditën e enjte, në orën 16:00, përpara godinës së Qeverisë.
