Qeveria miraton Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së ekstradimit me Suedinë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 28 tetor, Zhurnal.mk – Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për ekstradim, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në luftimin e kriminalitetit, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se marrëveshja përcakton procedurat dhe kushtet për ekstradimin e personave të kërkuar, si për ndjekje penale, ashtu edhe për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet gjyqësore.

“Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Suedisë për ekstradim ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftimin e kriminalitetit dhe në administrimin e drejtësisë. Ajo përcakton procedurat, kushtet për ekstradimin e personave të kërkuar, qoftë për ndjekje penale, qoftë edhe për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet gjyqësore, duke garantuar njëkohësisht respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të kontribuojë në plotësimin e kuadrit ligjor të Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër