Kurti: Shqiptarët në Serbi arritën rezultatin më të lartë që nga viti 2000

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 28 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Koalicioni Shqiptar në zgjedhjet e së dielës në Serbi ka arritur rezultatin më të lartë të votave për shqiptarët që nga viti 2000, duke marrë 27 mijë e 607 vota, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, ky rezultat është dëshmi e rëndësisë së bashkimit të subjekteve politike shqiptare, pavarësisht dallimeve mes tyre.

Kurti ka theksuar se shqiptarët janë renditur të dytët për nga numri i votave dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, në mesin e listave të pakicave kombëtare në Serbi.

“Të dielën që lamë pas, u mbajtën zgjedhjet në Serbi, në këto zgjedhje pati disa arritje historike. Koalicioni Shqiptar morri 27.607 vota, ky është rezultati më i lartë i shqiptarëve që nga viti 2000. Plot 1.233 vota më shumë se sa në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate. Me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, ky rezultat ka ekuivalentin përllogaritës të 37.354 votave. Shqiptarët janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët ndër listat e pakicave kombëtare”, tha ai.

Kurti ka vlerësuar gjithashtu rezultatin e listës studentore, e cila, sipas tij, doli e para, ndërsa ka thënë se koalicioni i presidentit serb Aleksandar Vuçiq e humbi shumicën parlamentare dhe lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit.

“Në anën tjetër, lista studentore doli e para. Koalicioni Vuçiqit e humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Shexhelit, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi, humbën. Ky rezultat kaq i mirë për shqiptarët vjen natyrisht si rezultat i bashkimit të të gjitha forcave në një, për çka e falënderoj secilin subjekt politik atje për vullnetin e tyre që përkundër dallimeve të bashkohen për një kauzë tejet të rëndësishme siç është jeta më e mirë, më e drejtë dhe më e dinjitetshme e shqiptarëve”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër