Shkup, 28 tetor Zhurnal.mk – Rreth 20-30 persona humbin jetën në vendin e punës çdo vit kurse 2000 persona mbeten të lënduar. Punëdhënësit sigurimin shëndetësor e shofin akoma si harxhim dhe jo si investim ndaj sigurisë së vendit të tyre të punës. Sipas Ivan Peshevski-t, sektoret më të prekura nga ky problem janë bujqësia dhe ndërtimtaria.
“Nuk është një problem i ri, nuk është që 5 vite por një problem që vazhdon prej 30 vitesh, që nga krijimi i shtetit tonë. Gjithnjë e më shumë kemi sëmundje profesionale që nuk evidentohen dhe nuk regjistrohen, si dhe gjithnjë e më shumë viktima në vendet e punës. Në fund, punëtorët përfundojnë duke u fajësuar, sepse nuk kanë mundësi të mbrohen”, tha Ivan Peshevski- nën-kryetar i lidhjes së sindikatave.
Kontrollet ndaj punëdhënësve duhet të jenë shume më rigoroze, për shkak se çdo vit gjithnjë e më shumë persona lëndohen në vendet e punës dhe nuk marrin kompenzim, thonw nga lidhja e sindikatave.
“Për ne, kushtet e punës së inspektorëve të punës janë të mjerueshme,së dyti, kemi mungesë të inspektorëve, së treti kur dalin në terren ata përpiqen të veprojnë në mënyrë parandaluese por me punëdhënësit tanë nuk arrihet të veprohet në mënyrë parandaluese por vetëm ndëshkuese sepse kemi parë se si vdesin dhe humbin jetën punëtorët pikërisht në ato vende të punës”, deklaroi Ivan Peshevski- nën-kryetar i lidhjes së sindikatave.
Këshilli për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë gjatë ditës së sotme ka përcjellë dy mesazhe shumë të qarta: para së gjithash, punëdhënësve u bën thirrje që të mos e sakrifikojnë kurrë shëndetin e punëtorëve në emër të produktivitetit ndërsa institucioneve përgjegjëse u kërkon një përkushtim shumë më të fortë, më të qartë dhe më të qëndrueshëm ndaj sigurisë dhe shëndetit në punë.
