Mexhiti: Kontratat e përkohshme nuk do të jenë më mjet shantazhi partiak

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se deputetët e VLEN-it kanë propozuar një projektligj që synon zgjidhjen e statusit të mijëra të punësuarve në administratën publike me kontrata të përkohshme.

Mexhiti thekson se qëllimi i propozimit është që të punësuarit që i plotësojnë kushtet ligjore të pajisen me vendime për marrëdhënie pune me afat të pacaktuar, duke u siguruar më shumë stabilitet në punë dhe mbrojtje nga presionet politike.

“Vendi i punës nuk është privilegj partiak dhe paga nuk është shpërblim për bindje politike. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se puna dhe të ardhurat e familjes së tij varen nga vullneti i një partie”, ka shkruar Mexhiti.

Ai ka theksuar se nëpunësit e administratës nuk duhet të trajtohen si vota në shërbim të partive politike, ndërsa kontratat e punës nuk duhet të përdoren si instrument presioni.

Mexhiti ka rikujtuar edhe angazhimin për zgjidhjen e statusit të të punësuarve në shëndetësi, duke u zotuar se VLEN-i do të angazhohet për miratimin dhe zbatimin e projektligjit të propozuar.

“Politika e VLEN-it zgjidh probleme. Për punë të sigurt, nëpunës me dinjitet dhe qytetarë të lirë nga presioni partiak”, ka përfunduar Mexhiti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër