Haraçina në pritje të autobusit, NQP-ja ndryshon itinerarin

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Haraçinë, 28 tetor Zhurnal.mk – Në vend që të ndalojë në stacionin e fundit, ku ka ndaluar për shumë vite dhe e presin qytetarët, autobusi i linjës urbane me numër 55, që qarkullon drejt Haraçinës, prej disa ditësh ka ndryshuar itinerarin dhe ndalon tek varrezat e këtij fshati.

Si pasojë, banorët vazhdojnë të presin më kot në stacionin e vjetër. Të revoltuar thonë se nuk e dinë arsyen se përse është marrë një vendim i tillë nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik pa i informuar paraprakisht.

”Problemi ynë është që këtu është vendi i përshtatshëm për autobusët dhe këtu ka qenë gjithmonë pasi është qendra e fshatit. E në pjesën ku ndalon janë varrezat dhe vetëm të vdekurit mund të shfrytëzojnë autobusin atje. Nuk ka nevojë të shkoje atje. Këtu rruga është e asfaltuar dhe janë edhe kushtet që të mund të ktheje autobusi e atje nuk ka as ku të ktheje se nuk është vendi i përshtatshëm për autobusë. Nuk e di çfarë është problemi por këtu nuk vijnë autobusët. Gati një muaj nuk vijnë. Më herët këtu janë ndalë. Stacioni është këtu.”tha një Banor i Haraçinës.

”Mujoren e paguaj çdo muaj dhe përsëri duhet të paguaj taxi nga 300 denarë për në Hasanbeg që të mund të arrij në kohë në vendin e punës. Nuk ka njerëz atje dhe nuk ka nevoje të shkoje autobusi atje, tek varrezat. Më herët këtu priste e tani tek varrezat. Po, këtu ndalonte dhe ishte gjithçka në rregull. Ka persona të moshuar dhe që nuk mund të shkojnë deri atje, pra një kilometër. Ka edhe qen endacak e na sulmojnë.”tha një Banor i Haraçinës.

Nga komuna e Haraçinës thonë në seancë të këshillit komunal kanë trajtuar çështjen e rikthimit të linjës së autobusit urban ashtu siç ka funksionuar më parë dhe i janë drejtuar edhe Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik me kërkesë zyrtare.

“Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, së bashku me këshilltarët komunalë, parashtruan kërkesë zyrtare pranë Ndërmarrjes Qarkulluese Publike Shkup, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për këtë problem që prek qytetarët tanë. Në interes të qytetarëve, kërkojmë rikthimin e autobusit deri te stacioni i fundit!”thonë nga Komuna e Haraçinës

Për problemin e krijuar me linjën urbane në Haraçinë, dërguam pyetje edhe tek Ndërmarrja e Qarkullimit Publik, por nga atje nuk sqaruan arsyen se perse kanë ndryshuar vendin e ndalesës së fundit të autobusit urban dhe nuk u përgjigjën se a do të rikthehet siç ishte më parë.

Jo zyrtarisht, ndërmjet disa banorëve të Haraçinës dhe një shoferi të linjës urbanë disa ditë më parë ka pasur një zënkë verbale, dhe NQP ka marr vendim që të ndryshoje vendin e ndalesës së autobusit por banorët e Haraçinës e mohojnë këtë informacion.

artikuj të ndërlidhura