Tiranë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Financave, Petrit Malaj paraqiti sot në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend edhe paketën e re fiskale 2027 për të cilën theksoi se ndryshimet e propozuara do të jenë me efekt neutral, pasi parimi mbi të cilën bazohen është rishpërndarja e të ardhura, duke siguruar mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe shtresës së mesme.
Sipas tij, Paketa Fiskale është konceptuar mbi tre parime kryesore: rishpërndarjen e të ardhurave, forcimin e drejtësisë fiskale, përmirësimin e efikasitetit të sistemit tatimor.
Paketa propozon ndryshime në: tatimin mbi dividendin, tatimin mbi të ardhurat personale, TVSH-në, vijimin e kalendarit të harmonizimit të akcizave me kërkesë të BE, si dhe zhvendosjen e takës së qarkullimit nga karburanti te taksat vjetore të mjeteve.
“Këto masa synojnë të sigurojnë një sistem fiskal më të drejtë, të rrisin kontributin e atyre, që kanë aftësi më të lartë paguese, të kufizojnë hapësirat për shmangien fiskale, si dhe të garantojnë të ardhura të qëndrueshme për financimin e politikave publike dhe investimeve prioritare”, u shpreh ministri Malaj.
Ndryshimet kryesore përfshijnë:
rritjen e normës së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%;
rishikimin e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, duke lehtësuar shtresën e mesme dhe duke forcuar progresivitetin për të ardhurat më të larta;
uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë;
rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%
aplikimin e normës së reduktuar 6% për 54 produkte të shportës bazë;
zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga konsumi te taksa vjetore e automjetit;
vijimin e kalendarit të rritjes së akcizave për produktet e duhanit dhe përafrimin me direktivat e Bashkimit Europian.
Në tërësi, tha Malaj, projektbuxheti 2027 dhe paketa fiskale që e shoqëron atë është një instrument konkret për zbatimin e prioriteteve për periudhën 2027–2029, duke vendosur në qendër qytetarin, mirëqenien dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
“Përmes këtij buxheti, ne forcojmë mbështetjen për pensionistët dhe familjet, investojmë në arsim dhe shëndetësi, mbështesim fermerët, rrisim financimin për rendin dhe sigurinë, si dhe u japim më shumë mbështetje financiare bashkive, për të përmirësuar shërbimet dhe investimet për komunitetet”, u shpreh ai.
“Qëllimi ynë nuk është thjesht të financojmë më shumë, por të sigurohemi që çdo politikë të përkthehet në më shumë mbështetje për qytetarët, në shërbime më cilësore, në më shumë zhvillim, si dhe në një standard më të lartë jetese”, përfundoi Malaj duke theksuar se projektbuxheti 2027 mbështet një Shqipëri që avancon më shpejt drejt standardeve të Bashkimit Evropian.
