Rama kërkon sërish dialog me studentë dhe pedagogë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama u kërkoi sërish sot studentëve dhe pedagogëve që vijojnë protestën të ulen në dialog, duke shprehur gatishmërinë e qeverisë për të shqyrtuar propozimet e tyre dhe për të adresuar shqetësimet e ngritura.

Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga sofra e gurtë me mbishkrimin “Dialog”.

Deri më tani, protestuesit e kanë refuzuar ftesën, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit, ndërsa kanë paralajmëruar vijimin e protestës.

Kryeministri ka deklaruar se është i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim të studentëve dhe pedagogëve. Një ditë më parë, Rama dha një mesazh mbi ecurinë e ekonomisë dhe zhvillimin e vendit, duke iu adresuar posaçërisht edhe studentëve.

Sipas tij, për të gjithë studentët që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike, bursa rritet me 15 mijë lekë të reja. Ndërkohë, në ligjin e ri për strehimin, që është tani në Parlament, janë parashikuar lehtësime të tjera për studentët dhe çiftet e reja, që nga qiratë e bashkëfinancuara me qeverinë, deri te kreditë me zero ose me vetëm 3% interes, sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara nga ligji.

Po kështu, Kryeministri tha se do të ketë risi për praktikat dhe punësimin, duke vendosur kushte për biznesin që, sipas një formule të caktuar, të punësojë studentë me gjysmën e pagës minimale.

Kryeministri ka theksuar gjithashtu se askush nuk mund ta gjunjëzojë shtetin përmes dhunës apo duke u fshehur pas figurës së studentit.

artikuj të ndërlidhura