PD bllokon foltoren e Kuvendit, Peleshi i heq të drejtën e fjalës Berishës: Thirrje për dhunë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Seanca plenare e Kuvendit ka nisur me tensione, pasi deputetët e Partisë Demokratike goditën tavolinat, ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po lexonte rendin e ditës.

Më pas, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, duke mbajtur në duar postera me pamje nga protesta.

Gjatë seancës pati debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori fjalën nga foltorja dhe kritikoi reagimin e policisë ndaj protestuesve.

“Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, deklaroi Berisha.

Pas këtyre deklaratave, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i ndërpreu fjalën Berishës dhe i hoqi të drejtën e fjalës për pjesën e mbetur të ditës, duke argumentuar se ai kishte bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit.

“Zoti Berisha, ky nuk është procedurë. Sipas Rregullores, ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi.

Tensionet në seancë vijuan ndërsa deputetët e PD-së mbajtën të bllokuar foltoren, duke kundërshtuar zhvillimin e punimeve të Kuvendit.

Edhe me rifillimin e seancës nga ana e Peleshit dhe thirrjeve të tij për lirimin e foltores, deputetë të PD-së vijuan të qëndrojnë aty. Seanca kaloi në pushim deri në qetësimin e situatës.

artikuj të ndërlidhura