Seancë e tensionuar e Kuvendit, miratohen pa diskutime projektligjet e rendit të ditës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Kuvendi miratoi sot projektligjet dhe projektvendimet e parashikuara në rendin e ditës, mes tensioneve në sallë, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe hodhën tymuese e flakadanë.

Pas përplasjeve në seancë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi kalimin në votim të projektligjeve. Propozimi u miratua me shumicë votash.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi nga seanca deputetët e PD-së Bledion Himçi, Bledion Nallbati dhe Xhelal Mziu.

Më pas, deputetët vijuan me procesin e votimit të projektligjeve dhe projektvendimeve të rendit të ditës.

Kuvendi miratoi me 84 vota pro dhe 2 kundër projektligjin “Për Bankën e Shqipërisë”.

Me 80 vota pro u miratua akti normativ për ndryshime në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”.

Me 75 vota pro dhe 1 kundër u miratua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2024, për projektin ‘Programi për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike në Shqipëri, sipas parimit të eficiencës së energjisë V’”.

Gjithashtu, me 80 vota pro u miratua projektligji “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, ndërsa projektligji “Për mbrojtjen e konsumatorit” mori 81 vota pro.

Me 81 vota pro u miratua edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 131/2015, ‘Për Qendrën Kombëtare të Biznesit’, të ndryshuar”.

Ndërsa projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, ‘Për regjistrimin e biznesit’, të ndryshuar”, u miratua me 82 vota pro.

Me po 82 vota pro u miratua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008, ‘Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare’, të ndryshuar”.

Projektligji “Për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare” u miratua me 79 vota pro.

Me 82 vota pro u miratua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 66/2023, ‘Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara’”.

Gjithashtu, me 81 vota pro u miratua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 34/2019, ‘Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara’, të ndryshuar”.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 64/2012, ‘Për peshkimin’, të ndryshuar”, u miratua me 82 vota pro.

Në vijim, Kuvendi miratoi me 82 vota pro projektvendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë jo të plotë pune, që rekrutohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027”.

Me po 82 vota pro u miratua projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 67/2020, ‘Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve’, të ndryshuar”.

Projektvendimi për disa shtesa dhe ndryshime në strukturën organizative, organikën dhe kategorizimin e pozicioneve të punës të personelit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave u miratua me 81 vota pro.

Po me 81 vota pro u miratua edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale.

artikuj të ndërlidhura