Tiranë, 29 tetor, Zhurnal.mk – “Përtej bilbilave, flakadanëve, rrëmujës, zhurmës dhe dhunës, agjenda europiane e Shqipërisë nuk ndërpritet”.
Ky ishte mesazhi i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla pas seancës së tensionuar të Kuvendit, ku tha se u miratuan 9 ligje që lidhen me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se mazhoranca do të vijojë përmbushjen e reformave të nevojshme për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian, pavarësisht përplasjeve politike dhe përpjekjeve të opozitës për të bllokuar punimet parlamentare.
Një nga votimet më të rëndësishme ishte ai për projektligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, i cili u miratua në parim me 84 vota.
“Pas 3-4 vitesh, do të kemi një guvernator banke, guvernator të një banke, të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Dhe siç e gëzon: të gjitha të drejtat, të gjitha imunitetet, nëse do t’i quanim të tilla, siç i gëzon një anëtar i Bankës Kombëtare të Luksemburgut, apo të Rumanisë, apo të Italisë, apo të Francës, duhet t’i gëzojë. Dhe dua t’ju garantoj që i gjithë ligji, ligji sot që kishim për Bankën e Shqipërisë, ka marrë dritën jeshile për të gjitha nenet e sotme nga Komisioni Evropian”, tha Balla.
Duke komentuar incidentet në Kuvend, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe ndezën flakadanë, Balla paralajmëroi zbatimin e masave disiplinore.
“Ata e kanë firmosur vetë përjashtimin. Kushdo që ndez flakadanë dhe me tymin që shkaktuan rrezikojnë, të themi, frymëmarrjen normale të kolegëve të tjerë, neni 65 i Rregullores së Kuvendit i ka përjashtuar 60 ditë”, deklaroi ai.
Sipas Ballës, sjellja e opozitës nuk mund të pengojë vazhdimin e procesit të integrimit europian.
Kryetari i grupit socialist e cilësoi të rëndësishme edhe miratimin e kalendarit për shqyrtimin e projektbuxhetit të vitit 2027.
“Shqiptarët sot kanë marrë lajmin e mirë se kemi buxhetin e parë mbi 10 miliardë euro në gjithë historinë tonë si shtet”, u shpreh Balla.
Ai e përshkroi projektbuxhetin si një instrument me karakter social, duke përmendur paketën fiskale dhe uljen e propozuar të TVSH-së për produktet ushqimore nga 20% në 6%.
“150 milionë euro i kthehen familjeve shqiptare, pra buxhetit të familjes shqiptare”, deklaroi ai.
Balla përmendi gjithashtu heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës, si dhe rritjen e mbështetjes për pensionistët.
Ai i kërkoi opozitës të marrë pjesë në diskutimet dhe votimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale gjatë 30 ditëve të ardhshme.
I pyetur për transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit dhe pretendimet e tij për kushtet e qëndrimit, Balla tha se çdo ankesë duhet të verifikohet institucionalisht.
Sipas tij, respektimi i të drejtave të të paraburgosurve dhe të burgosurve është pjesë e standardeve që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Balla foli edhe për konsultimet me Presidentin Bajram Begaj lidhur me zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Ai sqaroi se Partia Socialiste nuk do të propozojë një datë të caktuar, duke respektuar kompetencën e Presidentit për ta vendosur atë brenda periudhës ligjore.
