Shkup, 03 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka mirëpritur në ambientet e komunës nxënësit e shkollave fillore “Jashar Bej Shkupi” dhe “Tefejuz”, në një takim kushtuar të drejtave të fëmijëve, përfshirjes së tyre në shoqëri dhe zhvillimit të potencialeve individuale.
Momenti më i veçantë i takimit ishte dëshira e vogëlushes Eda, e cila shprehu ambicien e saj duke thënë: “Kur të rritem, dua të bëhem kryetare!”. Në përgjigje të dëshirës së saj, Mexhiti e ftoi të ulej në karrigen e kryetarit, duke përcjellë një mesazh simbolik për vetëbesimin, ambicien dhe mundësitë e barabarta për të gjithë fëmijët.
“Rruga drejt suksesit nis me besimin në vetvete. Çdo fëmijë ka të drejtë të dëgjohet, të mësojë, të ndihet i sigurt dhe të ketë mundësi për t’i zhvilluar aftësitë e veta. Është përgjegjësia jonë që këto të drejta të mos mbeten vetëm parime, por të jenë pjesë e përditshmërisë së tyre, në shkollë, në lagje dhe në institucionet tona”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se fëmijët duhet të rriten me bindjen se zëri i tyre ka rëndësi, ëndrrat e tyre kanë vlerë dhe se në të ardhmen mund të jenë pikërisht ata që udhëheqin dhe marrin vendime.
“Detyra jonë është t’i mbështesim dhe t’i largojmë pengesat e paragjykimet që ua vështirësojnë rrugën”, shtoi Mexhiti.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e krijimit të një mjedisi gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë ndihet i vlerësuar, i respektuar dhe i inkurajuar për të shprehur lirshëm mendimet dhe aspiratat e tij.









