Tiranë, 3 nëntor Zhurnal.mk – Eksperti për zhvillimet ndërkombëtare, Ledion Krisafi thotë se Shqipëria, pas Malit të Zi, është më e avancuara në rajon lidhur me integrimin në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për “Ballkan Update” në ABC News, Krisafi u shpreh se Maqedonia e Veriut ka probleme me bullgarët, lidhur me njohjen e pakicave bullgare.
Krisafi shtoi se në Serbi qytetarët janë të ndarë për integrimin në bllokun evropian.
“Problemi i Maqedonisë së Veriut është se mund të ketë bërë 26 ndryshime kushtetuese. Ndryshimi që duhet të bëjnë në kushtetutë, është njohja e pakicave bullgare. Në rastin e Maqedonisë së Veriut nuk besoj se do të ndryshojë ndonjë gjë të madh. Gjatë 30 viteve të fundit është munduar të gjejë identitetin e vet. Janë akoma në kërkim të identitetit. Kjo qeveri maqedonase, është shumë serbo file, edhe më shumë se ajo e Gruevskit. Kanë dashuri për Vuçiç dhe Beogradin. Secila palë sheh interesat e veta dhe rrugët e veta për integrimin. Patjetër, Mali i Zi është i pari në radhë, Shqipëria nuk ka probleme siç ka Maqedonia e Veriut dhe Serbia, dhe e ka në dorë pjesën e integrimit në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut ka probleme identiteti, mënyra si populli sheh veten e vet. Këto nuk zgjidhen me ndryshime kushtetuese. E shoh që kjo qeveri e ka të vështirë të ikë nga pushteti”, theksoi ai.
