Prishtinë, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se një grup kriminal ndërkombëtar është goditur në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas Sveçlës, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.
Po ashtu, janë arrestuar pesë persona të dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Përmes një deklarate, Sveçla ka vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional, duke theksuar se angazhimi për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve do të vazhdojë të intensifikohet.
Ai ka theksuar se Kosova nuk do të jetë vend i sigurt për kriminelët dhe aktivitetet që cenojnë sigurinë e vendit, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të rinisë.
