Zgjedhjet e mesmandatit, Obama: Amerikanët duan politikë që bashkon, jo që përçan

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Uashington, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, duke theksuar se votuesit amerikanë kanë shprehur qartë dëshirën për një politikë që bashkon dhe jo përçan, si dhe për drejtues që ofrojnë zgjidhje konkrete për problemet e vendit.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, Obama përgëzoi kandidatët demokratë për rezultatet e arritura, duke vlerësuar se fitorja e tyre u bë e mundur falë kandidimit në të gjitha rajonet e vendit, përfshirë edhe zonat ku më parë konsideroheshin me pak mundësi për të fituar.

“Sonte, populli amerikan dha një mesazh të qartë: ata duan një politikë që i bashkon njerëzit dhe jo që i përçan, si dhe drejtues që ofrojnë zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen”, shkroi Obama.

Ai theksoi se kandidatët që arritën fitore vinin nga prejardhje të ndryshme dhe përfaqësonin bindje të ndryshme politike, por i bashkonin vlerat e përbashkëta, besimi te shërbimi publik dhe angazhimi për të vendosur interesat e qytetarëve në radhë të parë.

Ish-presidenti shprehu gjithashtu mirënjohje për mijëra zyrtarë dhe vullnetarë zgjedhorë nga të dyja partitë, të cilët kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Obama u bëri thirrje demokratëve të mos humbasin kohë dhe të nisin menjëherë punën për të shfrytëzuar mundësitë që u jep fitorja në Kongres.

“Edhe pse administratës aktuale i kanë mbetur edhe dy vite në detyrë, detyra jonë tani është të përveshim mëngët, të bëjmë ndryshime aty ku kemi mundësi, të parandalojmë dëme të mëtejshme dhe të përgatisim terrenin për të ardhmen”, theksoi ai.

Reagimi i Obamës vjen pas fitores së rëndësishme të demokratëve në zgjedhjet e 3 nëntorit, ku ata siguruan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Ky rezultat ndryshon ekuilibrat politikë në Uashington dhe pritet t’ia vështirësojë presidentit Donald Trump miratimin e nismave të tij gjatë dy viteve të fundit të mandatit.

Fitorja e demokratëve u shoqërua edhe me rezultate të rëndësishme në disa shtete, ku republikanët kishin pasur tradicionalisht mbështetje të fortë.

artikuj të ndërlidhura