Tiranë, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama përsëriti sot ftesën për dialog ndaj studentëve dhe pedagogëve që vijojnë protestën kundër qeverisë.
Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga sofra e gurtë e vendosur përpara godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur mbishkrimi “Dialog”, duke shprehur gatishmërinë e qeverisë për të shqyrtuar propozimet e tyre dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura. Por, protestuesit deri më tani e kanë refuzuar ftesën e Kryeministrit, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke paralajmëruar vijimin e protestës. Në disa universitete publike të Tiranës, mësimi është zhvilluar normalisht, përfshirë Universitetin e Mjekësisë, Universitetin Politeknik, Fakultetin e Drejtësisë, Histori-Filologjinë dhe Fakultetin e Ekonomisë. Vendimi për rikthimin në auditorë ishte marrë nga vetë studentët përmes komunikimeve në grupet e tyre, me argumentin se çdo orë e humbur është në dëm të tyre.
Megjithatë, protesta është shoqëruar me qëndrime të ndryshme mes studentëve. Një pjesë e tyre janë rikthyer në auditorë, duke i dhënë fund bojkotit që zgjati rreth dy javë, ndërsa një grup tjetër vijon aksionet për ndërprerjen e procesit mësimor dhe mobilizimin e studentëve për t’iu bashkuar protestës.
Nga ana tjetër, Rama është shprehur i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim të paraqitur nga studentët dhe pedagogët, ndërsa ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një paketë masash për adresimin e nevojave të tyre.
Në këtë kuadër, ai ka theksuar se edhe buxheti i vitit 2027 parashikon masa shtesë në mbështetje të familjeve, shërbimeve publike dhe studentëve.
Ndërkohë, qeveria ka marrë një paketë ligjore masash ndaj dhunës urbane, duke ashpërsuar penalitetet për këdo që përfshihet në akte dhune.
