BDI: Raporti i KE-së ndër më negativët, Qeveria po e kthen vendin prapa

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026, duke e cilësuar atë si një nga vlerësimet më shqetësuese që vendi ka marrë gjatë viteve të fundit. Sipas BDI-së, Raporti tregon se Maqedonia e Veriut po humb ritmin e reformave, po mbetet gjithnjë e më larg procesit të integrimit evropian dhe po përballet me probleme serioze në funksionimin e institucioneve. Partia opozitare veçon si veçanërisht shqetësuese çështjet që lidhen me zbatimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

“Për herë të parë, problemet konkrete me zbatimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat marrin një vend kaq të qartë në vlerësimin e Komisionit Evropian”, thuhet në reagimin e BDI-së. Sipas kësaj partie, kjo paraqet pasojë politike të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së me VLEN-in, pasi çështjet e barazisë, të cilat, sipas BDI-së, duhej të ishin garanci të pakontestueshme institucionale, tashmë janë shndërruar në çështje të evidentuara edhe në nivel evropian.

Në reagim, BDI drejton kritika të veçanta ndaj partnerit shqiptar në koalicionin qeverisës, VLEN. “VLEN hyri në Qeveri me premtimin se do t’i përfaqësonte shqiptarët. Sot, pasojat e pjesëmarrjes së tyre në këtë qeverisje po lexohen në Bruksel”, deklaron BDI. Partia përmend shfuqizimin e mekanizmit të njohur si “balancuesi”, mungesën e një zgjidhjeje të re për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe problemet me të cilat, sipas saj, vazhdojnë të përballen qytetarët dhe studentët shqiptarë në realizimin e të drejtave gjuhësore.

BDI i referohet edhe vlerësimeve të Komisionit Evropian në fusha të tjera, duke theksuar mungesën e progresit në disa sektorë. “Pa progres në luftën kundër korrupsionit, pa progres në lirinë e shprehjes, pa progres në prokurimet publike dhe pa progres në mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetësisë. Një qeverisje që premtoi reforma, sot po prodhon stagnim në fusha themelore të shtetit”, thuhet në reagim. Sipas BDI-së, pozita e Maqedonisë së Veriut bëhet edhe më problematike nëse krahasohet me avancimin e vendeve të tjera të rajonit në procesin e integrimit evropian.

Partia opozitare thekson se Shqipëria po avancon në negociatat me BE-në dhe Mali i Zi po i afrohet përfundimit të procesit negociues, ndërsa Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet pa hapur klasterin e parë. BDI vlerëson se situata aktuale është pasojë e drejtimit politik të Qeverisë dhe se koston e stagnimit po e paguajnë qytetarët. “Maqedonia e Veriut po humb kohë evropiane, ndërsa shqiptarët po përballen sërish me kontestimin e të drejtave që i konsideronin të garantuara”, thuhet në reagim.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që Raporti i Komisionit Evropian të shërbejë si “alarm për ndryshim të menjëhershëm të kursit qeverisës”. “Barazia, funksionimi i shtetit dhe perspektiva evropiane nuk mund të vazhdojnë të jenë viktima të kësaj qeverisjeje”, përfundon reagimi i BDI-së.

artikuj të ndërlidhura