Shkup, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Alta Banka nuk do të përfundojë në falimentim, por do të vazhdojë të funksionojë me një pronar të ri. Ai tha se Qeveria është e përkushtuar për shpëtimin e bankës, ndërsa akuzoi opozitën se, sipas tij, ka zhvilluar fushatë duke parashikuar skenarë të zinj për të ardhmen e saj.
“Opozita do të zhgënjehet, sepse skenarët e tyre të zinj dhe përpjekjet që Alta Banka të përfundojë në pasiguri, përkatësisht në falimentim, nuk do të realizohen. Do të kemi një institucion financiar, një bankë që do të ketë pronar të ri. LSDM-ja ka ambicie të ndërthurura me skenarë të zinj, ndërsa ne kemi ambicie ta shpëtojmë bankën dhe ajo të vazhdojë të funksionojë”, deklaroi Mickoski.
Ai tha se pajtohet që Prokuroria të hapë rast dhe të zhvillojë hetime për këtë çështje, duke shtuar se rezultatet e hetimit do të tregojnë se çfarë ka ndodhur.
Mickoski gjithashtu theksoi se Qeveria nuk mund të zgjedhë se kush mund të ushtrojë veprimtari në tregun maqedonas, përderisa investitorët i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore dhe kriteret e përcaktuara.
Duke komentuar kritikat e opozitës për investitorin potencial, ai përmendi se i njëjti më herët ka fituar të drejtën të jetë aksionar në bankën austriake Addiko, si dhe të ketë marrëdhënie afariste me Raiffeisen Bankën.
Sipas Mickoskit, procesi për shitjen e aksioneve të Alta Bankës po vazhdon sipas procedurave të parapara.
Ai bëri të ditur se tashmë kanë kaluar tre ditët gjatë të cilave është njoftuar rregullatori në Serbi, ndërsa aktualisht po rrjedh afati prej 10 ditësh që Banka Popullore të marrë të drejtën për t’i shitur aksionet përmes ankandit.
Pas kësaj, do të vijojë edhe afati pesëditor për licencimin e ofertuesve potencialë.
Mickoski pret që ankandi të caktohet në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm.
