Shkup, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristian Mickoski, në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve lidhur me deklaratën e përfaqësuesit të Forumit për ndryshime në arsim, Blendi Hodai, për shujtën e subvencionuar të studentëve, tha se ishte jashtëzakonisht i befasuar dhe i shokuar nga mënyra se si, siç vlerësoi ai, ishin fyer profesorët e rregullt. Ai theksoi se edhe vetë, si kryeministër, edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska janë profesorë të rregullt dhe se ndër vite kanë ndihmuar shumë gjenerata studentësh të fitojnë njohuritë e nevojshme për jetën.
“Unë si profesor, pedagog i rregullt universitar dhe prind, mund të them se u befasova jashtëzakonisht dhe do të thosha se u shokova, sepse të fyesh në atë mënyrë, siç bëri ai, profesorë të rregullt, duke qenë se edhe ministrja e Arsimit edhe unë, si kryeministër, jemi profesorë të rregullt dhe kemi ndihmuar gjenerata të tëra studentësh të fitojnë njohuri që më pas u janë nevojitur në jetë, për veten dhe familjen e tyre, është së paku e pahijshme”, deklaroi Mickoski.
Ai tha se i vjen keq që Hodai nuk kishte marrë pjesë në takimin ku kishte diskutuar me përfaqësuesit ligjitim të lëvizjeve studentore për shujtën e sudentëve. Kryeministri theksoi se Qeveria punon për mundësinë që studentët shumën mujore të miratuar ta shfrytëzojnë jo vetëm për shujtë, por edhe për zbritje dhe përfitime shtesë në zinxhirët tregtarë.
“Ne tashmë po punojmë në Qeveri për këtë, në kuadër të asaj që fola, që studentët t’i shfrytëzojnë këto privilegje jo vetëm për shujtën e studentëve por edhe që shumën, atë vëllim që do t’u miratohet në nivel mujore, ta vazhdojnë ta shfrytëzojnë edhe më tej në zinxhirët tregtarë për zbritje shtesë dhe privilegje shtesë”, tha Mickoski.
Kryeministri u përcolli një mesazh studentëve se i konsideron miqtë e tij dhe se do të vazhdojë t’i mbështesë, duke theksuar se funksioni i tij aktual politik është i përkohshëm, ndërsa pas përfundimit të mandatit planifikon të kthehet sërish në universitet dhe të punojë me studentët.
Ai theksoi se aktivitetet e deritanishme të Qeverisë janë dëshmi e mbështetjes për studentët. Si shembuj përmendi projektet lidhur me konviktet studentore, sigurimin e pajisjeve elektronike për çdo student, aktivitetet e paralajmëruara për konviktet e nxënësve dhe studentëve, si dhe ndërtimin e kampusave të reja universitare në disa universitete.
Mickoski shtoi se pret që edhe më tej të ketë individë që nuk do të pajtohen me politikat e Qeverisë, por përsëriti vlerësimin se është e pahijshme që profesortë e rregullt të poshtërohen dhe të fyhen publikisht.
Blendi Hodai, në një konferencë për medita, para Gjykatës Administrative javën e kaluar, njoftoi se Forumi për ndryshime në arsim ka ngritur padi kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për shkak të, siç thonë nga shoqata, mosrespektimin e Ligjit për shujtën e subvencionuar të studentëve. Nga organizata theksojnë se MASH-i gjatë tre viteve të fundit nuk e ka zbatuar harmonizimin ligjor të shumës së subvencionuar me normën vjetore të inflacionit, të paraparë në nenin 2.1 të Ligjit.
