Spitali i Kavajës merr statusin e spitalit bashkiak, rifillojnë ndërhyrjet kirurgjikale gjinekologjike

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Qendra Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi” në Kavajë ka marrë statusin e Spitalit Bashkiak, në kuadër të reformës spitalore që synon decentralizimin e shërbimeve shëndetësore, fuqizimin e spitaleve dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në kujdesin shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, në një postim në rrjetet sociale, e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për afrimin e shërbimeve me pacientët duke zgjeruar gamën e shërbimeve shëndetësore dhe duke sjellë më shumë mundësi trajtimi pranë komunitetit.

Me marrjen e statusit të ri, në Spitalin Bashkiak të Kavajës është zgjeruar gama e shërbimeve shëndetësore që ofrohen për komunitetin. Një nga zhvillimet e rëndësishme është rifillimi, pas nëntë vitesh, i ndërhyrjeve kirurgjikale gjinekologjike, duke rikthyer një shërbim të specializuar pranë banorëve të zonës.

Sipas Spahiut, spitali tashmë ofron ambiente tërësisht të rinovuara dhe kushte bashkëkohore, me standarde të përmirësuara infrastrukturore dhe mjekësore.

Përveç banorëve të Kavajës dhe zonave përreth, forcimi i kapaciteteve të këtij institucioni synon t’i përgjigjet edhe fluksit të shtuar të pacientëve gjatë sezonit turistik, duke përmirësuar aksesin dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore në zonë.

artikuj të ndërlidhura