Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Deputetët e DPMNE-së nuk e mbështetën propozimin e Levicës për ndryshime në Ligjin për Sigurim Shëndetësor, me të cilin parashihej mbrojtje ligjore e së drejtës tashmë të fituar për shtatë ditë pushim bazë mjekësor. Me këtë, shumica qeverisëse refuzoi të vendosë kufi ligjor ndaj vendimeve arbitrare të Fondit për Sigurim Shëndetësor, duke lënë hapësirë që të drejtat e punëtorëve të ngushtohen edhe më tej përmes rregulloreve dhe vendimeve administrative, reagojnë nga Levica.
Deputeti i Levicës, Amar Mecinoviq, në fjalimin e tij në Kuvend theksoi se ndryshimet e propozuara nuk parashohin privilegje të reja apo detyrime shtesë për shtetin, por mbrojtje të të drejtave që punëtorët tashmë i gëzojnë, e të cilat sipas tij institucionet po i kufizojnë gradualisht përmes akteve nënligjore.
Sipas Levicës, shkak për këto ndryshime ligjore ishte ndërhyrja e drejtorit të FSHS-së, Perinski, i cili paralajmëroi uljen e periudhës së pushimit bazë mjekësor te mjeku amë nga shtatë në pesë ditë, pa kritere shtesë diagnostikuese. Edhe pse Fondi këtë vendim e paraqiti si “modernizim mjekësor”, Mecinoviq ngriti pyetjen thelbësore: nëse e drejta për pushim mjekësor mbetet e pandryshuar, pse ndryshohen kushtet për realizimin e saj?
Mecinoviq paralajmëroi se ndërhyrje të tilla krijojnë një precedent të rrezikshëm. Sipas tij, sot pushimi bazë mjekësor zvogëlohet nga shtatë në pesë ditë, ndërsa nesër një drejtor tjetër mund të vendosë në mënyrë arbitrare se mjaftojnë tre apo dy ditë. Ai vlerësoi se Fondi nuk ka ofruar analiza të qarta dhe argumente mjekësore që do të arsyetonin kushtëzimet shtesë për vazhdimin e pushimit mjekësor pas ditës së gjashtë.
Në fjalimin e tij, deputeti i Levicës iu referua edhe mekanizmave të paralajmëruar të kontrollit, veçanërisht mundësisë për kontrolle me kërkesë të punëdhënësit. Ai theksoi se në kushtet e pabarazisë ekonomike ndërmjet punëtorit dhe punëdhënësit, mekanizma të tillë mund të shndërrohen në instrument presioni, hakmarrjeje dhe shënjestrimi ndaj punëtorëve që kërkojnë pagesën e orëve shtesë, kundërshtojnë keqpërdorimet ose organizohen sindikalisht.
“Fondi nuk ka legjitimitet demokratik të prekë të drejtat tashmë të fituara të punëtorëve”, deklaroi Mecinoviq, duke shtuar se Kuvendi ka obligim moral dhe institucional të mbrojë të drejtat sociale dhe të punës nga vendime arbitrare të funksionarëve.
Sipas Levicës, në vend që të mbrojë punëtorët, DPMNE me mosvotimin e saj ka lënë hapësirë për kufizime të mëtejshme administrative të të drejtave të tyre. Nga partia vlerësojnë se ky qëndrim pasqyron dallimin ndërmjet dy koncepteve politike: njërit që punëtorin e sheh si kosto në procesin e krijimit të fitimit privat dhe tjetrit që e konsideron atë si njeri me dinjitet dhe me të drejtë për një ekzistencë të sigurt.
Levica mbetet në qëndrimin se të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të garantohen me ligj dhe jo të varen nga vullneti i drejtorëve apo burokratëve. “Pushimi mjekësor është e drejtë sociale, e jo privilegj që pushteti mund ta kufizojë me një nënshkrim”, theksojnë nga kjo parti.

