Dimitrieska-Koçoska: Ribalanci është reagim në kohë ndaj rrethanave të reja ekonomike

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Ribalanci i plotësuar i Buxhetit për vitin 2026 është reagim në kohë ndaj rrethanave të reja ekonomike, pasojave të pasigurisë globale dhe efekteve të tyre mbi ekonominë vendore. Përgjegjësia e Qeverisë është të reagojë me kohë, t’i përshtatë politikat ekonomike me realitetet e reja, por njëkohësisht të ruajë stabilitetin e financave publike dhe të sigurojë funksionimin e pandërprerë të shtetit.

Këtë e theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në ekspozenë e Propozim-ribalancit të plotësuar të Buxhetit për vitin 2026, i cili sot është në rend dite në seancën parlamentare, duke potencuar se ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit janë në funksion të sigurimit të stabilitetit të buxhetit deri në fund të vitit dhe garantimit të sigurisë për qytetarët dhe ekonominë.

Me ribalancin, siç theksoi ministrja, bëhet përshtatja e domosdoshme e të hyrave dhe shpenzimeve, duke marrë parasysh rrjedhat reale ekonomike dhe nevojën për menaxhim racional, efikas dhe të përgjegjshëm të mjeteve publike.

“Kjo nënkupton disiplinë më të madhe buxhetore, planifikim të kujdesshëm të shpenzimeve dhe optimizim maksimal të të hyrave, pa e vënë në pikëpyetje përmbushjen e rregullt të obligimeve të shtetit. Ajo që është më e rëndësishme për opinionin dhe qytetarët është se ribalanci i plotësuar nuk erdhi si pasojë e problemeve me likuiditetin e Buxhetit, por si rezultat i masave të ndërmarra nga Qeveria për uljen e TVSH-së dhe akcizës për benzinën dhe naftën. Këto masa kanë ndikim të drejtpërdrejtë në anën e të hyrave të Buxhetit, por më e rëndësishmja është se me to kemi mbështetur standardin e qytetarëve dhe kemi ndihmuar ekonominë, respektivisht kemi parandaluar bartjen e çmimeve të larta të naftës mbi produktet dhe shërbimet e tjera”, deklaroi ministrja.

Ajo porositi se deri në fund të vitit arka shtetërore është stabile dhe është siguruar financimi i të gjitha obligimeve, përfshirë pagat, pensionet, pagesën e kompensimeve sociale, obligimet ndaj ekonomisë, si dhe shlyerjen e borxheve që maturohen.

Me Ribalancin e plotësuar të Buxhetit, të hyrat totale planifikohen në nivel prej 374,2 miliardë denarësh, ose rreth 5,3 miliardë denarë më pak krahasuar me projeksionet për vitin 2026. Në të njëjtën kohë, në të njëjtën masë është bërë korrigjim në ulje edhe në anën e shpenzimeve, kështu që shpenzimet totale planifikohen në nivel prej 420,5 miliardë denarësh. Niveli i deficitit buxhetor mbetet 46,3 miliardë denarë.

Me ribalancin janë siguruar edhe 3,7 miliardë denarë shtesë për transfere sociale, prej të cilave 1,4 miliardë denarë për kompensime sociale dhe 887 milionë denarë shtesë për mbrojtje shëndetësore.

artikuj të ndërlidhura