Gjithnjë e më e vështirë të arrihet fundi i muajit: Inflacioni sërish në rritje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Sa kushton një jetë e zakonshme e përditshme? Për gjithnjë e më shumë qytetarë në Maqedoninë e Veriut, përgjigjja e kësaj pyetjeje po bëhet më e vështirë nga muaji në muaj. Kur një pagë duhet të mbulojë faturat e energjisë elektrike dhe ujit, ushqimin, transportin, barnat dhe shpenzimet e tjera bazë, çdo shtrenjtim i ri e rëndon edhe më shumë buxhetin familjar, shkruan DW, transmeton Zhurnal.

Inflacioni po shënon sërish rritje, ndërsa kostoja e jetesës vazhdon të ushtrojë presion mbi buxhetet familjare. Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, inflacioni i matur përmes indeksit të kostos së jetesës në tetor të vitit 2026 ka arritur në 3,3 për qind në nivel vjetor, ndërsa çmimet me pakicë janë rritur për 3,2 për qind.

Rritja më e madhe mujore është regjistruar te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, ku kostot janë më të larta për 2,5 për qind. Rekreacioni, sporti dhe kultura, si dhe veshmbathja dhe këpucët, kanë shënuar rritje prej 1,2 për qind, ndërsa ushqimi dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për 0,7 për qind. Shpenzimet për banim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse janë më të larta për 0,3 për qind, ndërsa mbrojtja shëndetësore për 0,1 për qind.

Çmimet me pakicë në tetor, krahasuar me shtatorin, janë rritur për 0,2 për qind, ndërsa në nivel vjetor për 3,2 për qind.

Paralajmërime për rritjen e kostos së jetesës

Këto shifra kanë hapur një debat të ri për standardin jetësor. Nga opozita, LSDM vlerësojnë se qytetarët po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet e përditshme dhe akuzojnë se rritja e çmimeve po e përkeqëson më tej standardin e jetesës.

Nga LSDM theksojnë se paga minimale nuk po rritet, ndërsa një pjesë e madhe e punëtorëve mezi arrijnë të mbulojnë nevojat bazë jetësore.

“Paga minimale nuk lëviz nga 26.000 denarë. As tri paga nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet bazë të jetesës. Punëtorët mezi arrijnë ta mbyllin muajin. Nga gjithsej 540.000 të punësuar, rreth 180.000 punëtorë marrin paga më të ulëta se 31.200 denarë në muaj”, thuhet në reagimin e partisë.

Ata akuzojnë Qeverinë se nuk ka masa të mjaftueshme për mbrojtjen e standardit jetësor dhe paralajmërojnë se shtrenjtimet e paralajmëruara të energjisë elektrike dhe ngrohjes qendrore do të rrisin edhe më tej presionin mbi buxhetet familjare.

Shporta minimale sindikale në tetor arriti në 70.358 denarë, ndërsa së bashku me shpenzimet për qira arrinte rreth 90.000 denarë. Veçanërisht shqetësues, sipas sindikatave, është fakti se për ushqim dhe pije një familjeje katëranëtarëshe në tetor i janë nevojitur 26.170 denarë, më shumë sesa paga minimale që është 26.046 denarë.

Kjo do të thotë se një pagë minimale nuk mjafton më as për të mbuluar nevojat bazë ushqimore të një familjeje, pa u llogaritur faturat e banimit, energjisë elektrike, ngrohjes, transportit, veshmbathjes, barnave dhe shpenzimet e tjera.

VMRO-DPMNE: Maqedonia ka inflacion më të ulët se eurozona

Ndaj akuzave të LSDM-së reagoi VMRO-DPMNE, duke vlerësuar se partia opozitare vazhdon me, siç thonë ata, “politikën e skenarëve të zinj, manipulimeve dhe përhapjes së panikut te qytetarët”.

Nga VMRO-DPMNE theksojnë se treguesit ekonomikë dhe raportet ndërkombëtare tregojnë lëvizje pozitive në ekonomi.

“Maqedonia shënon rritjen më të lartë ekonomike në rajon, ndërsa raportet ndërkombëtare konfirmojnë trendet pozitive ekonomike”, deklarojnë nga partia.

Sipas VMRO-DPMNE-së, të dhënat zyrtare statistikore tregojnë se inflacioni vjetor në tetor të vitit 2026 ishte 3,3 për qind, ndërsa sipas vlerësimit paraprak të Eurostatit, inflacioni në eurozonë ka arritur në 4 për qind.

Nga partia vlerësojnë se kjo do të thotë se inflacioni në Maqedoninë e Veriut është më i ulët se ai në eurozonë, pavarësisht sfidave serioze gjeopolitike.

Partia në pushtet thotë se Qeveria është e vetëdijshme se rritja e çmimeve mbetet një sfidë serioze për buxhetet familjare dhe se prioritetet e saj janë rritja ekonomike, rritja e pagave, hapja e vendeve të reja të punës dhe masat për mbrojtjen e standardit jetësor.

Kryeministri Hristijan Mickoski së fundmi deklaroi në një seancë parlamentare se deri në fund të vitit pret që inflacioni të lëvizë ndërmjet 3,5 dhe 4 për qind. Sipas tij, inflacioni në tremujorin e tretë ishte 2,5 për qind dhe ndër më të ulëtit në rajon dhe në Evropë.

Ai tha se krahasimet me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë, Shqipërinë, Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë dhe Turqinë tregojnë se Maqedonia e Veriut ka inflacion më të ulët se shumë vende të rajonit.

Sipas tij, rritja e prodhimit industrial, investimeve, ndërtimtarisë, turizmit dhe investimeve të huaja tregon për një rritje ekonomike prej 3,5 deri në 4 për qind deri në fund të vitit.

“A jetohet vështirë? Po, jetohet vështirë. Nuk them se jetohet lehtë. Por a jetohet më mirë se para tre vitesh? Unë ju garantoj se jetohet më mirë”, deklaroi Mickoski.

artikuj të ndërlidhura