Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi mes Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve dhe “Megjashi”

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Këshilli Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve dhe Drejtësinë për Fëmijë dhe Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë “Megjashi” kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me qëllim forcimin e përpjekjeve të përbashkëta për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve, si dhe për parandalimin e delikuencës së të miturve dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë për fëmijët.

Me nënshkrimin e Memorandumit vendoset një kornizë bashkëpunimi institucional e bazuar në parimin e interesit më të mirë të fëmijës, respektimin e të drejtave të fëmijëve, legjislacionin kombëtar dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Bashkëpunimi do të realizohet përmes mbështetjes së ndërsjellë dhe zbatimit të aktiviteteve të përbashkëta, inicimit dhe promovimit të hulumtimeve dhe analizave, shkëmbimit të informatave, të dhënave dhe njohurive profesionale, si dhe përgatitjes dhe ndarjes së materialeve edukative, profesionale dhe hulumtuese nga fusha e të drejtave të fëmijëve, parandalimit të delikuencës së të miturve dhe drejtësisë për fëmijët.

Theks i veçantë do t’i kushtohet komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm, organizimit të takimeve të punës, debateve profesionale dhe diskutimeve, si dhe shfrytëzimit të kapaciteteve institucionale dhe profesionale të të dy nënshkruesve.

Përmes këtij bashkëpunimi, Këshilli Shtetëror do të realizojë rolin e tij koordinues dhe iniciues, ndërsa Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë “Megjashi” do të kontribuojë me ekspertizën, përvojën dhe kapacitetet e saj profesionale shumëvjeçare në fushën e mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve.

Nënshkrimi i Memorandumit paraqet një hap të rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe bashkimit të kapaciteteve institucionale dhe qytetare në funksion të krijimit të një mjedisi më të sigurt, më të drejtë dhe më human për çdo fëmijë.

“Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe realizimi i interesit të tyre më të mirë kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm, veprim të përbashkët dhe partneritet”, thuhet në njoftim.

artikuj të ndërlidhura