Celibashi pret ambasadoren e BE-së: Reforma zgjedhore duhet të përfundojë sa më shpejt

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Reforma zgjedhore, zbatimi i rekomandimeve të ODIHR-it dhe përmirësimi i proceseve zgjedhore në vend ishin në fokus të takimit të zhvilluar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mes kreut të këtij institucioni, Ilirjan Celibashi, dhe ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Celibashi bëri të ditur se ambasadorja vlerësoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, por theksoi se faza e fundit e procesit është më e vështira dhe kërkon angazhim më të madh në një kohë të shkurtër.

Sipas saj, Shqipëria ka kapacitetet e nevojshme për të arritur rezultatet e pritshme, ndërsa rekomandimet e ODIHR-it duhet të zbatohen pas një debati të mirëfilltë dhe reforma zgjedhore të përmbyllet sa më shpejt.

Ambasadorja Moreira de Sousa ripohoi gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të mbështetur KQZ-në, duke kërkuar identifikimin e fushave ku asistenca evropiane mund të sjellë më shumë vlerë në punën e institucionit.

Nga ana e tij, Celibashi falënderoi BE-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi se KQZ-ja ka zbatuar rekomandimet me karakter teknik, ndërsa ato që lidhen me vendimmarrjen politike kërkojnë angazhimin e Qeverisë dhe Kuvendit.

Kreu i KQZ-së nënvizoi se zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë më të mirat e zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, në funksion edhe të afrimit të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se, përgjegjësia për cilësinë e zgjedhjeve nuk i përket vetëm KQZ-së, por të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë.

Në takim u ra dakord se reforma zgjedhore duhet të trajtojë disa çështje kryesore, si keqpërdorimi i burimeve shtetërore, veprimtaria e administratës publike gjatë fushatës, financimi i fushatave zgjedhore, profesionalizimi i administratës zgjedhore dhe garantimi i së drejtës së votës për qytetarët që nuk kanë mundësi të votojnë.

Celibashi theksoi se do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me Bashkimin Evropian për zhvillimin e proceseve zgjedhore sa më të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.

artikuj të ndërlidhura