BE finalizon buxhetin me vlerë 200 miliardë euro

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Buxheti i Bashkimit Evropian për vitin 2027 arrin në 199,7 miliardë euro (222,61 miliardë dollarë), njoftuan sot shtetet anëtare të bllokut, pas negociatave që zgjatën gjatë natës me Parlamentin Evropian.

Marrëveshja i mundëson bllokut prej 27 vendesh të zbatojë politikat dhe programet e dakorduara, thanë shtetet anëtare në një deklaratë të përbashkët.

Ajo gjithashtu garanton aftësinë e BE-së për të “përballuar krizat dhe sfidat aktuale”, si ato në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, thuhet në deklaratë, si dhe për t’u marrë me zhvillime të paparashikuara.

Buxheti i vitit të ardhshëm është pak më i lartë se fondi prej rreth 190 miliardë eurosh i parashikuar për shpenzimet e vitit 2026.

Marrëveshja për vitin 2027 kërkon ende konfirmimin zyrtar nga shtetet anëtare dhe organi legjislativ i BE-së; hapa këta që konsiderohen thjesht formalitet.

Shpenzimet e BE-së negociohen fillimisht si një paketë shtatëvjeçare, nga e cila nxirret buxheti vjetor. Meqenëse viti 2027 shënon fundin e ciklit aktual, po zhvillohen negociata intensive lidhur me kornizën e ardhshme buxhetore shumëvjeçare.

Marrëveshja bazohet në një propozim të Komisionit Evropian, i cili kishte sugjeruar një buxhet prej 199,9 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm. Komisioni kishte renditur si prioritete konkurrueshmërinë, sigurinë, mbrojtjen dhe mbështetjen për Ukrainën.

Në kuadër të kornizës aktuale financiare shumëvjeçare, për periudhën e shpenzimeve nga viti 2021 deri në vitin 2027 ishin caktuar gjithsej rreth 1,1 trilionë euro.

Buxheti i BE-së financohet kryesisht përmes kontributeve nga shtetet anëtare, por vlera e tij është shumë më e vogël krahasuar me shpenzimet e brendshme të vetë shteteve anëtare.

Gjermania, kontribuuesi më i madh neto në BE, siguron pothuajse një të katërtën e fondeve të Bashkimit, por gjithashtu përfiton ndjeshëm nga tregu i përbashkët. Në Bruksel janë duke u zhvilluar negociata për një buxhet të ri shumëvjeçar, që mbulon periudhën nga viti 2028 deri në vitin 2034. Vendet e BE-së synojnë të arrijnë një marrëveshje brenda fundit të vitit, por ky objektiv konsiderohet tejet ambicioz, pasi mes qëndrimeve të shteteve anëtare vazhdojnë të ketë dallime të thella.

Aktualisht, në tryezë është një propozim me vlerë 1,826 trilionë euro për periudhën e ardhshme shtatëvjeçare. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, bën pjesë në grupin e liderëve që e refuzojnë këtë propozim si të papranueshëm, duke kërkuar shkurtime në vlerën e disa qindra miliarda eurove./

artikuj të ndërlidhura