Konjufca: Bllokada politike ngadalësoi reformat

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Raporti i Progresit ka treguar se nuk ka pasur ngecje, por një ritëm më të ngadalësuar të reformave.

Konjufca, para deputetëve, u shpreh se Komisioni Evropian e ka ndërlidhur drejtpërdrejt ngadalësimin e reformave me bllokadën politike, e cila ka kufizuar efektivitetin e qeverisjes dhe ka vonuar reformat strukturore.

“Pasqyra e përgjithshme tregon se niveli i përgatitjes nuk kishte rënë në asnjë fushë. Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli i përgatitjes është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se në vitin e kaluar, në së paku shtatë prej kapitujve”.

“Së pari, në reformën e administratës publike, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në akuakulturë, në statistika, në politikat rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore, në drejtësi, liri dhe siguri, ndërsa në kapitullin që ka të bëjë me gjyqësorin, është përmirësuar gjendja në dimensionin e lirisë së shprehjes. Gjithmonë po e krahasoj me Raportin e Progresit të vitit 2025”, deklaroi ai.

Sipas tij, kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbajtjen e kësaj seance e paraqet Qeverinë sikur të kishte pasur kompetenca të plota, duke neglizhuar bllokadën në të cilën ndodhej vendi.

“Raporti mbulon periudhën nga shtatori 2025 deri në shtator 2026 dhe gjatë kësaj periudhe kemi pasur tri palë zgjedhje, dy palë të parakohshme dhe një palë komunale. Pa president të zgjedhur deri në tetor dhe me Kuvend jofunksional për pjesën më të madhe të kohës”.

Ai shtoi se “raporti konstaton se përgjatë gjithë kësaj periudhe, Kuvendi punoi vetëm nga mesi i shkurtit deri në fund të prillit, ndërsa Qeveria ishte në detyrë në pjesën më të madhe të periudhës”.

Kjo seancë e jashtëzakonshme është thirrur nga LDK-ja, me arsyetimin që gjetjet e raportit të mos mbeten vetëm pjesë e debatit publik, por të shndërrohen në obligime konkrete për Qeverinë.

artikuj të ndërlidhura