Rritje e numrit të pacientëve me grip në Kumanovë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 11 nëntor Zhurnal.mk – Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ditëve të fundit po ankohen nga virusi dhe gripi. Kjo ka bërë që një numër i madh pacientëve në Kumanovë t’u drejtohen institucioneve shëndetësore. Në Qendrën Urgjente në Kumanovë vërehet rritje e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore.

Më së shumti dominojnë pacientët me viruse respiratore, si dhe me kollitje, temperaturë të lartë, molisje dhe me dhimbje të trupit. Mjekët thonë se pacientët më shumë vijnë me pasqyrë klinike jo të mirë.

“Më shumë janë pacientët me probleme kardiopulmonare të sëmundjes kronike obstruktive, si astmë, alergji, që çdo vit këta pacientë ankohen në këtë periudhë të vitit. Të rinjtë më shumë kanë rritje të temperaturës, dhimbje në fyt, rrjedhje të hundës. Ata me probleme kronike kanë probleme edhe me frymëmarrjen.”, – theksoi një mjek.

Sipas të dhënave nga IShP-ja, Kumanova është një nga qytetet me numër më të madh të pacientëve me grip. Javën e kaluar në Qendrën Urgjente janë evidentuar 24 raste me grip.

Rekomandohet ushqim i shëndetshëm, shmangia e kontaktit me persona të infektuar me virus, ajrosjen e ambienteve, mbajtjen e higjienës, si dhe më shumë aktivitet fizik.

Mjekët thonë se mbrojtja më e mirë kundër gripit sezonal është imunizimi. Institucionet shëndetësore në Kumanovë dhe komunat përreth disponojnë me 1.600 doza të vaksinave.

artikuj të ndërlidhura