Kush do të punojë në fabrikat e reja? Makineritë presin punëtorë!

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 nëntor Zhurnal.mk – Mungesa e fuqisë punëtore po kufizon gjithnjë e më shumë kapacitetet prodhuese të kompanive në Maqedoninë e Veriut dhe po shndërrohet në pengesë për investimet e reja dhe rritjen ekonomike. Thjeshtimi i procedurave për angazhimin e punëtorëve të huaj dhe pranimi i tyre si plotësim i fuqisë punëtore vendase po paraqiten si pjesë e zgjidhjes. Rekrutimi ndërkombëtar krijon mundësi që kompanitë të plotësojnë vendet e lira të punës, të rrisin prodhimin dhe të realizojnë planet e tyre zhvillimore.

Mungesa e fuqisë punëtore në Maqedoninë e Veriut pritet të thellohet edhe më shumë në vitet e ardhshme, duke u shndërruar në një pengesë serioze për tërheqjen e investimeve të reja dhe zgjerimin e bizneseve ekzistuese. Mungesa e kuadrit të nevojshëm tashmë po kufizon kapacitetet e kompanive vendase, po vështirëson realizimin e kontratave dhe po zvogëlon mundësinë për pranimin e porosive të reja. Në kushtet kur investitorët, përveç kushteve tatimore, infrastrukturës dhe kostos së fuqisë punëtore, po vlerësojnë gjithnjë e më shumë edhe disponueshmërinë e punëtorëve të kualifikuar, ky problem po bëhet faktor i rëndësishëm për konkurrueshmërinë e ekonomisë së Maqedonisë.

Kapërcimi i kësaj situate kërkon zgjidhje të reja, ndër të cilat edhe angazhimin e organizuar të punëtorëve nga jashtë si plotësim i fuqisë punëtore vendase. Që kjo të funksionojë, nevojitet thjeshtimi dhe përshpejtimi i procedurave administrative, por edhe tejkalimi i paragjykimeve ndaj punëtorëve të huaj dhe pranimi i tyre si pjesë e zgjidhjes për mungesën e kuadrit.

Përmasat e problemit i dëshmojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, shkalla e vendeve të lira të punës në sektorin e akomodimit dhe shërbimit të ushqimit ka qenë 6,23 për qind, pothuajse tri herë më e lartë se shkalla e përgjithshme prej 2,17 për qind. Numri më i madh i vendeve të lira të punës, gjithsej 2.980, është evidentuar në veprimtaritë e shërbimeve dhe shitjes.

“Kur një kompani nuk ka mjaftueshëm punëtorë, ajo nuk mund t’i shfrytëzojë plotësisht kapacitetet e saj, të realizojë kontratat në kohë, të pranojë porosi të reja apo të planifikojë zgjerimin. Në këtë mënyrë, mungesa e fuqisë punëtore bëhet faktor kufizues për rritjen ekonomike, investimet dhe konkurrueshmërinë e shtetit. Të dhënat se në sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë janë të lira 6,23 për qind e vendeve të punës tregojnë se sa e madhe është nevoja për punëtorë. Rekrutimi ndërkombëtar është një nga zgjidhjet, ndërsa roli ynë është të lidhim nevojat e punëdhënësve me kandidatët përkatës dhe të ofrojmë mbështetje gjatë gjithë procesit, nga përzgjedhja dhe dokumentacioni deri te ardhja dhe integrimi i punëtorëve”, thotë Marin Demirovski, një nga themeluesit e “Nomad Partners”, operator ndërkombëtar për mobilitetin e fuqisë punëtore.

Kompania, e cila ka më shumë se dhjetë vjet përvojë, mbi 500 kompani kliente në rajon dhe që nga viti i kaluar ka edhe zyrë lokale në Maqedoninë e Veriut, u ndihmon punëdhënësve vendas në rekrutimin e punëtorëve nga vende jashtë Bashkimit Evropian.

Mungesa e fuqisë punëtore është një sfidë rajonale. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, Greqia, ku “Nomad Partners” gjithashtu ka zyrë, ka evidentuar 46.368 vende të lira pune, ndërsa në Slloveni numri i tyre ka qenë rreth 20.000. Banka Botërore vlerëson se, nëse vazhdojnë trendet aktuale, gjatë pesë viteve të ardhshme në Ballkanin Perëndimor mund të mungojnë më shumë se 190.000 punëtorë.

“Nomad Partners” zbaton metodologjinë e saj për përzgjedhjen e kandidatëve, përgatitjen e dokumentacionit, lejeve të punës dhe vizave, transportit, akomodimit dhe përcjelljes së punëtorëve gjatë angazhimit të tyre. Kandidatët vijnë nga Nepali, India, Bangladeshi, Uzbekistani, Kirgistani, Turqia, Filipinet dhe Vietnami. Në Maqedoninë e Veriut, fokusi është te turizmi, hoteleria dhe gastronomia, prodhimi, bujqësia, ndërtimtaria, energjetika dhe veprimtaritë e tjera të shërbimeve.

Megjithatë, procesi nuk përfundon me ardhjen e punëtorëve. Kushtet e punës dhe të jetesës, pagesa e rregullt dhe trajtimi ndaj të punësuarve janë thelbësore për mbajtjen e tyre dhe krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme të punës.

“Përgatitja për qëndrim fillon para ardhjes së punëtorit. Ai duhet ta dijë se çfarë po pranon, ndërsa kompania duhet të jetë e përgatitur për t’i përmbushur kushtet e dakorduara. Besimi ndërtohet çdo ditë, nga pagesa e rregullt dhe kushtet e punës deri te mënyra se si zgjidhen problemet. Kjo vlen njësoj si për punëtorët vendas, ashtu edhe për ata të huaj”, shton Demirovski.

Për këtë arsye, koncepti i kompanisë e lidh rekrutimin edhe me organizimin e akomodimit dhe integrimit, duke përfshirë kujdesin për sigurinë, mirëmbajtjen e hapësirës dhe nevojat e përditshme të punëtorëve.

“Për një person që vjen të punojë në një shtet tjetër, kushtet e jetesës janë pjesë e rëndësishme e vendimit për të qëndruar. Akomodimi i përshtatshëm dhe përshtatja e organizuar krijojnë bazë më të mirë për një angazhim afatgjatë dhe të qëndrueshëm”, thekson Demirovski.

Një faktor i rëndësishëm në konkurrencën rajonale për punëtorë janë edhe pagat. Paga mesatare mujore neto në Maqedoninë e Veriut në gusht të vitit 2026 ka qenë 48.733 denarë. Në Serbi, paga mesatare neto për muajin korrik ka qenë 121.346 dinarë, ndërsa në Slloveni paga mesatare neto e të punësuarve në subjektet juridike ka arritur në 1.695 euro.

Sipas Demirovskit, mbajtja e punëtorëve kërkon kompensim konkurrues, pagesë të rregullt, orar të parashikueshëm të punës, mjedis të sigurt dhe trajtim korrekt. Te punëtorët e huaj, veçanërisht të rëndësishme janë kushtet e qarta kontraktuale dhe mbështetja praktike gjatë përshtatjes.

Paralelisht me rekrutimin ndërkombëtar, është e rëndësishme të vazhdojë edhe aktivizimi i potencialit vendor të punës. Banka Botërore, në analizën rajonale të prillit 2026, vlerëson se Ballkani Perëndimor mund të përfitojë më shumë se 2,8 milionë punëtorë shtesë, nëse pjesëmarrja në tregun e punës afrohet me nivelin e vendeve të krahasueshme të Bashkimit Evropian, para së gjithash përmes përfshirjes më të madhe të grave dhe të rinjve.

Nga “Nomad Partners” theksojnë se angazhimi i punëtorëve të huaj duhet të jetë plotësim i investimeve në fuqinë punëtore vendase, trajnimet dhe produktivitetin. Qëllimi është krijimi i partneriteteve afatgjata me punëdhënësit në Maqedoninë e Veriut, të bazuara në procedura ligjore, kushte të qarta pune dhe mbështetje të sigurt për të gjitha palët e përfshira.

https://www.vecer.press/koj-ke-raboti-vo-novite-fabriki-vo-makedonija-mashinite-chekaat-rabotniczi/

artikuj të ndërlidhura