Merz: Radha e Putinit për të çuar përpara negociatat e paqes në Ukrainë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Dublin, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin të pranojë zhvillimin e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, me pjesëmarrjen edhe të vendeve evropiane.

“Pres që qeveria ruse dhe presidenti rus të pranojnë më në fund zhvillimin e bisedimeve të përbashkëta”, deklaroi Merz sot para gazetarëve, gjatë mbërritjes në samitin e liderëve evropianë në Dublin.

Ukraina dhe Rusia rifilluan të martën dhe të mërkurën negociatat e drejtpërdrejta, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, për përfundimin e luftës. Takimet u zhvilluan në Abu Dabi dhe ishin të parat pas disa muajsh ndërprerjeje.

Ndërkohë, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritej të takoheshin të enjten me presidentin Putin në Moskë, me synimin për ta bindur atë që edhe vendet evropiane të kenë një vend në tryezën e negociatave të ardhshme të paqes.

Duke iu referuar debatit të rinovuar se kush duhet të përfaqësojë Bashkimin Evropian në negociatat me Rusinë dhe Ukrainën, kancelari Merz u shpreh se Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të jenë aktorët kryesorë evropianë në këtë proces.

Këto tri vende, të njohura si formati E3, kanë udhëhequr deri tani përpjekjet diplomatike të Evropës dhe në disa raste janë mbështetur edhe nga përfaqësues të Polonisë dhe Italisë.

“Unë nuk shoh absolutisht asnjë problem që gjërat të vazhdojnë kështu”, tha kancelari gjerman.

“E rëndësishme është që Rusia të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të tregojë gatishmëri për të negociuar. Gjithçka tjetër do të marrë më pas rrjedhën e vet”, përfundoi Merz.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër