Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kurti përmes një postimi në Facebook, ku ka treguar se në fokus të diskutimit ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kreu i Qeverisë ka vlerësuar se anëtarësimi në këtë organizatë do të kishte rëndësi të veçantë për vendin, pasi do t’i hapte rrugë pjesëmarrjes në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.
Po ashtu, Kurti ka theksuar se anëtarësimi do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës të kishin qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Postimi i plotë:
Në takimin që patëm sot në kuadër të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, vazhduam bisedën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë.
Është e tejet e rëndësishme që, nëpërmjet pranimit në Këshill, Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

