Shkup, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Policia ka shqiptuar 221 sanksione për kundërvajtje të këmbësorëve dhe drejtuesve të automjeteve gjatë një aksioni të përforcuar të realizuar në të gjithë vendin. Kontrolli është zhvilluar më 11 nëntor, nga ora 08:00 deri në 13:00, me fokus zbulimin e shkeljeve të rregullave të trafikut nga këmbësorët dhe shoferët ndaj tyre.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga gjithsej 221 kundërvajtjet e konstatuara, 147 janë shqiptuar për këmbësorët që kanë kaluar rrugën në mënyrë të pasigurt, jashtë vendkalimeve të shënuara për këmbësorë.
Ndërkaq, 25 shoferë janë sanksionuar për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve në vendkalimet e shënuara. Gjatë aksionit janë ndëshkuar edhe 179 drejtues automjetesh për lloje të tjera të shkeljeve në trafik.
Nga MPB-ja apelojnë që këmbësorët ta kalojnë rrugën vetëm në vendkalimet e shënuara, ndërsa shoferët të përshtatin shpejtësinë dhe t’u mundësojnë kalim të sigurt.
“Siguria e këmbësorëve është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm me respektimin e vazhdueshëm të rregullave dhe dispozitave të trafikut nga të gjithë pjesëmarrësit mund të kontribuojmë për rrugë më të sigurta dhe uljen e numrit të aksidenteve”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

