Tiranë, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Komisionet ndërbankare për pagesat me kartë do të kufizohen në 0,2% për kartat e debitit dhe 0,3% për kartat e kreditit, duke nisur nga 1 janari 2027.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se masa synon uljen e kostove të pagesave për bizneset dhe lehtësimin e transaksioneve për qytetarët, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Ibrahimaj theksoi se paralelisht po zgjerohet përdorimi i terminaleve POS në bizneset shqiptare, në kuadër të programit “Cashless Albania”.
Kjo nismë synon t’u krijojë qytetarëve më shumë mundësi për të kryer pagesa me kartë në dyqane dhe pika shërbimi, duke nxitur përdorimin e pagesave elektronike.
Sipas ministres, kufizimi i komisioneve përbën një hap drejt uljes së kostove të transaksioneve, lehtësimit të pagesave të përditshme dhe modernizimit të ekonomisë shqiptare.

