Tiranë, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Berisha e cilësoi prokurorin e çështjes së tij, Altin Dumanin, si “armik i egër i pluralizmit dhe votës së lirë të shqiptarëve”, ndërsa theksoi se Prokuroria e Posaçme është “zyrë avokatie e krimit elektoral të PS-së”.
Më tej gjatë fjalës së tij, Berisha ftoi të gjithë faktorët opozitarë që të bashkohen për hartimin e një kuadri ligjor demokratik, i cili sipas tij do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Ai theksoi se opozita duhet të bashkëpunojë për një reformë zgjedhore që garanton barazinë e votës dhe konkurrencën e ndershme politike.
Berisha u ndal te disa prej pikave që, sipas tij, duhet të përfshihen në këtë kuadër ligjor, si listat e hapura, vendosja e një pragu zgjedhor të pranueshëm nga të gjitha palët, garantimi i koalicioneve dhe ashpërsimi i masave ligjore ndaj shkelësve të ligjit dhe krimit elektoral.
“Ne ftojmë dhe njëherë të gjitha forcat politike që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, ftojmë të gjithë faktorët të bashkohemi për të paraqitur së bashku një kuadër ligjor demokratik, një kuadër ligjor i cili në rast të një qeverie teknike apo qeverie kujdestare, u jep mundësi shqiptarëve të votojnë të lirë. Barazon vlerën e votës së tyre. U jep mundësi të zgjedhin më të mirët që ata mendojnë.
“Por kjo nuk do të thotë që ne të mos bëjmë para qytetarëve, të cilët duan të dinë, duan të na shohin se ne jemi të bashkuar për listat e hapura. Listat e hapura janë një përgjegjësi për të gjithë para të gjithë qytetarëve. Se ne jemi të bashkuar për një prag zgjedhor të pranueshëm nga të gjitha palët. Se ne jemi të bashkuar për garantimin e koalicioneve, sepse është një standard demokratik. Se ne jemi të bashkuar për masat më të rrepta ligjore për shkelësit e ligjit dhe krimit elektoral”, tha Berisha.

