Prishtinë, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Një koncert që synonte të promovonte bashkimin e kulturave evropiane në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian dje në Bruksel nxiti reagime politike, pasi aty u interpretua melodia e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga muzikantët.
Në një prononcim për gazetarët, Kos theksoi se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë as qëndrimin e Komisionit Evropian, as qëndrimin e saj personal ndaj Kosovës dhe historisë së saj.
Ajo tha se është e vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në këtë pjesë të Evropës gjatë së kaluarës dhe theksoi rëndësinë e pajtimit, pa harruar dallimet dhe përvojat historike.
“Ne nuk kërkojmë që dallimet të harrohen, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, tha Kos./REL/

