Prodhimi industrial në Eurozonë shënon rritje në shtator, pas katër muajsh rënieje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Frankfurt, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Prodhimi industrial në vendet që përdorin monedhën euro, u rrit në shtator, për herë të parë pas katër muajsh rënieje, sipas të dhënave të publikuara sot nga “Eurostat”, zyra statistikore e Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave, prodhimi industrial në Eurozonë u rrit me 0,2% në shtator, krahasuar me muajin gusht, kur ishte shënuar një rënie prej 0,5%. Kjo është rritja e parë mujore që prej katër muajsh.

Përmirësimi erdhi kryesisht nga rritja e prodhimit të mallrave të konsumit afatgjatë dhe të mallrave të ndërmjetme.

Prodhimi i mallrave të konsumit afatgjatë, si mobiljet, pajisjet elektroshtëpiake dhe produkte të tjera që përdoren për disa vite, u rrit me 1,3%.

Ndërsa prodhimi i mallrave të ndërmjetme, produkteve që përdoren si lëndë e parë ose pjesë për prodhimin e mallrave të tjera, u rrit me 0,7%.

Nga ana tjetër, prodhimi i energjisë ra me 1,7%, ndërsa ai i mallrave të konsumit afatshkurtër, si ushqimet, pijet dhe produktet e higjienës, u ul me 0,4%.

Prodhimi i mallrave kapitale, si makineritë dhe pajisjet që përdoren nga bizneset për të prodhuar mallra të tjera, mbeti i pandryshuar.

Megjithatë, krahasuar me shtatorin e një viti më parë, prodhimi industrial në Eurozonë shënoi rënie prej 1,5%. Në gusht, rënia vjetore ishte 1,1%.

Në të gjithë Bashkimin Evropian, prodhimi industrial u rrit me 0,5% në shtator, krahasuar me muajin paraardhës, por ishte 0,8% më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndër vendet anëtare të BE-së, rëniet më të mëdha vjetore të prodhimit industrial u regjistruan në Irlandë, Bullgari dhe Rumani. Ndërsa rritjet më të larta u shënuan në Holandë, Hungari, Lituani dhe Maltë.

Ekonomisti i ING, Bert Colijn vlerësoi se deri tani, nuk ka shenja të qarta se industria po hyn në një periudhë të qëndrueshme rimëkëmbjeje. Sipas tij, në muajt e ardhshëm priten vetëm rritje të kufizuara të prodhimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër