SHBA paralajmëron për rrezik në Evropë: Terrorizëm, kërcënime me bomba dhe kaos të mundshëm gjatë festave!

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bullgari ka publikuar një paralajmërim sigurie për qytetarët amerikanë që udhëtojnë ose qëndrojnë në Evropë, duke u bërë thirrje të tregojnë kujdes të shtuar gjatë periudhës së festave të fundvitit.

Në njoftimin e publikuar më 16 nëntor 2026, me vendndodhje të përcaktuar në nivel evropian, Ambasada amerikane paralajmëron se grumbullimet e mëdha të njerëzve dhe organizimet publike mund të paraqesin objektiv të mundshëm për grupet terroriste dhe personat e përfshirë në aktivitete kriminale.

Sipas paralajmërimit, terroristët, përfshirë edhe individë që veprojnë të vetëm, mund të kryejnë sulme pa paralajmërim paraprak, duke shënjestruar lokacione turistike dhe hapësira publike si tregjet, qendrat e transportit, qendrat tregtare, objektet fetare dhe vendet e tjera ku grumbullohen shumë njerëz.

Ambasada u rekomandon qytetarëve amerikanë të tregojnë vigjilencë të veçantë gjatë vizitave në festivalet dhe aktivitetet festive, si dhe në lokacionet me frekuentim të lartë. Gjithashtu, ata që vizitojnë zonat turistike të mbipopulluara këshillohen të jenë vazhdimisht të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth dhe të respektojnë udhëzimet e policisë dhe shërbimeve të emergjencës.

Paralajmërimi përfshin edhe mundësinë e ndërprerjeve të udhëtimeve dhe pengesave në jetën e përditshme në vende të ndryshme të Evropës gjatë sezonit të festave.

Ambasada thekson se gjatë muajve të fundit janë shpeshtuar grevat dhe protestat, ndërsa gjatë muajit nëntor kërcënime të rreme për vendosjen e bombave kanë shënjestruar aviacionin civil në disa vende evropiane, duke shkaktuar ndërprerje dhe vonesa të fluturimeve.

Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë që udhëtojnë jashtë vendit u bëhet thirrje të përcjellin rregullisht lajmet lokale dhe zhvillimet në vendet ku qëndrojnë, në mënyrë që të informohen në kohë për ngjarjet që mund të ndikojnë në transport dhe në jetën e përditshme.

Në fund, Ambasada amerikane inkurajon të gjithë qytetarët e saj që ndodhen jashtë SHBA-së të regjistrohen në programin Smart Traveler Enrollment Program (STEP), përmes të cilit mund të marrin përditësimet më të fundit të sigurisë për destinacionet ku udhëtojnë.

Paralajmërimi vjen në prag të sezonit të festave të fundvitit, kur qytetet evropiane presin numër të madh turistësh dhe organizojnë aktivitete të shumta publike.

https://bg.usembassy.gov/security-alert-u-s-embassy-in-bulgaria-november-16-2026/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër