Kënga nacionaliste serbe, Gërvalla në takim me BE-në: Pavarësia e Kosovës nuk mund të mohohet

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian përgjegjësi konkrete institucionale lidhur me rastin e këngës me pretendime nacionaliste serbe ndaj territorit të Kosovës, e cila u interpretua më 15 nëntor në hapjen e Forumit të Zgjerimit në Bruksel.

Në fjalën e saj në Takimin e 8-të të Nënkomitetit BE-Kosovë për Drejtësi, Liri dhe Siguri, Gërvalla e ka cilësuar të papranueshme përfshirjen e kësaj kënge në një aktivitet të Komisionit Evropian.

Ajo ka thënë se, ndonëse e mirëpret sqarimin e Komisioneres Kos se kënga nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian, një sqarim i tillë nuk është i mjaftueshëm.

“Presim pasoja konkrete dhe institucionale: një shpjegim se si u përzgjodh dhe u miratua kjo këngë, përcaktimin e përgjegjësisë dhe masa që një rast i tillë të mos përsëritet”, ka deklaruar Gërvalla.

Ministrja ka theksuar se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë realitet që nuk mund të mohohen më nga askush.

“Pavarësia e Republikës së Kosovës në kontinentin evropian si shtet i pavarur dhe sovran është një realitet i cili sot nuk mund të mohohet më nga askush”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka vlerësuar se raste të tilla dëmtojnë kredibilitetin e Bashkimit Evropian dhe besimin në paanshmërinë e tij, duke kërkuar që partneriteti mes Kosovës dhe BE-së të ndërtohet mbi respekt, standarde dhe përgjegjësi të ndërsjellë.

Gjatë fjalimit, ajo është ndalur edhe te reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe forcimi i mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore.

Ajo ka theksuar se reforma në drejtësi mbetet prioritet i Qeverisë, duke kërkuar një sistem gjyqësor dhe prokurorial të pavarur, profesional, efikas dhe llogaridhënës.

Në përfundim, Gërvalla ka kërkuar që takimi me përfaqësuesit evropianë të mos përfundojë vetëm me konstatime të përgjithshme, por të prodhojë hapa konkretë dhe mekanizma të matshëm për zbatimin e rekomandimeve.

“Ne presim të njëjtin seriozitet dhe të njëjtën përgjegjësi edhe nga partnerët tanë evropianë”, ka theksuar ministrja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër