Naser Ziberi përshëndet propozim-ligjin për provimin e Jurisprudencës, një hap përpara!

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 nëëntor, Zhurnal.mk – Propozim-ligji për provimin e jurisprudencës, i cili parasheh që 12 provimet teorike të zhvillohen në gjuhën shqipe, është një hap serioz drejt zgjidhjes së problemit me të cilin përballen studentët shqiptarë. Kështu vlerëson ish-avokati i popullit, Naser Ziberi, sipas të cilit, edhe pse propozimi nuk e zgjidh tërësisht çështjen, ai paraqet një kompromis politik dhe një mundësi për avancim të mëtejshëm përmes ndryshimeve të njëpasnjëshme ligjore.

Ish-deputeti dhe ish-avokati i popullit, Naser Ziberi në një deklaratë për TV Koha, vlerëson se propozim-ligji i Ministrisë së Drejtësisë për provimin e jurisprudencës përbën një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së këtij problemi për studentët shqiptarë.

Sipas Ziberit, bëhet fjalë për një vendim politik, i cili, sikurse edhe vendimet e tjera të kësaj natyre, është rezultat i kompromisit mes forcave politike në një moment të caktuar.

“Mendoj se ky është një hap serioz drejtë zgjidhjes së kësaj çështje kuptohet se nuk e zgjidh problemin në tërë kompleksitetin e tij, por që është një hap përpara, padyshim. Zaten, ky do të jetë një vendim politik dhe si të tilla vendimet politike n asnjëherë uk janë të plota, të tërësishme, por janë kompromis të forcave në momentin e caktuar. Do të them se edhe vendime të tjera kur janë marrë, kanë qenë të kësaj natyre”.

Ziberi thekson se çështja e provimit të jurisprudencës duhet të trajtohet në mënyrë graduale, me synimin që përmes hapave të njëpasnjëshëm të arrihet një zgjidhje e plotë. Si shembull, ai përmend procesin e ndryshimit dhe avancimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili, sipas tij, është përmirësuar përmes disa ndërhyrjeve ligjore ndër vite.

“Edhe vet ligji për përdorimin e gjuhëve është amenduar tre herë. Janë sjellë dy ligje dhe një propozim për ndryshimin e ligjit. Ligji që është propozuar në vitin 2008-të ka qenë dukshëm më i reduktuar, pastaj është avancuar me amendamentet e vitit 2011-të dhe pastaj është rrumbullaksuar në vitin 2018-të. Edhe provimi i jurisprudencës duhet të shkoj në drejtim të zgjidhjes dhe rrumbullaksimit të tërësishëm, me këtë hap”.

Kujtojmë se javën e kaluar, me propozim të Qeverisë, Komisionit të Venecias iu kërkua mendim urgjent lidhur me ligjin që rregullon mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës. Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë parasheh që 12 provimet teorike të zhvillohen në gjuhën shqipe, ndërsa dy provimet e tjera për studentët shqiptarë të mbahen me ndihmën e përkthyesve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër