Shenzhen, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri kanadez, Mark Carney deklaroi sot se do të takohet më vonë gjatë ditës me presidentin amerikan, Donald Trump për të diskutuar çështjet tregtare.
Deklarata e Carney erdhi përpara samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po zhvillohet në qytetin Shenzhen, në jug të Kinës. Deri tani, pala amerikane nuk e ka konfirmuar takimin.
Trump udhëtoi nga Filipinet drejt Shenzhenit për të marrë pjesë sot në samit.
Tarifat doganore të vendosura nga Trump, kanë ushtruar presion mbi ekonominë kanadeze, duke e nxitur Carney, të kërkojë marrëdhënie më të ngushta me partnerë të tjerë tregtarë dhe të ulë varësinë e vendit nga tregu amerikan.
Përpara samitit të APEC-ut, Kanadaja njoftoi lehtësimin e disa tarifave tregtare me Kinën.
Ekonomitë e Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë të ndërthurura ngushtë, por negociatat për një marrëveshje tregtare mes dy vendeve, u bllokuan pas disa muajsh bisedimesh.
I pyetur se përse Kanadaja mund të arrijë një marrëveshje me Kinën, por jo me Uashingtonin, Carney shpjegoi se marrëdhënia tregtare e vendit të tij me SHBA-në, ishte shumë më komplekse.
Ai tha se në bisedimet e mëparshme ishte bërë përparim, por procesi shpesh kishte qenë një hap përpara dhe një hap prapa.
“Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të arritur këtë marrëveshje, por vetëm nëse ajo është në interes të kanadezëve”, deklaroi Carney.

