Pekin, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Të mërkurën në mbrëmje presidenti kinez Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan shtruan në Shenzhen një banket mirëseardhjeje për mysafirët që marrin pjesë në Takimin e 33-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut.
Para banketit, Xi dhe Peng bënë një foto në grup me udhëheqës e përfaqësues nga ekonomi të ndryshme dhe bashkëshortet e tyre.
Në fjalimin e mbajtur në banket, presidenti Xi Jinping u shpreh:
“Në prag të Takimit të 33-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut, në emër të qeverisë dhe popullit kinez, u shpreh mirëseardhjen e ngrohtë të gjithë të ftuarve.
Në vitin 1978, unë vizitova për herë të parë Shenzhen-in, që ishte atëherë një fshat i vogël peshkatarësh. Pas mbi 40 vjetëve, këtu është plot me ndërtesa të larta dhe me makina e njerëz. Pamja e Shenzhen-it ka ndryshuar rrënjësisht.
Hapja është gjeni i lindur i Shenzhen-it. Nga një fshat kufitar deri në një qytet modern, nga tërheqja e investimeve dhe teknologjive të huaja deri në hartimin e rregullave ndërkombëtare, Shenzhen-i i sotëm është bërë një dritare e hapjes së Kinës.
Inovacioni është burimi i gjallërisë së Shenzhen-it. Nga përpunimi për eksport deri në zhvillimin e pavarur, nga “fabrika e botës” deri në një qytet inovacioni, Shenzhen-i i sotëm numëron rreth 20 000 aplikime për patenta ndërkombëtare në vit. Në Shenzhen prodhimi i përparuar dhe shërbimet moderne zhvillohen së bashku, duke e bërë këtë qytet një front të inovacionit të Kinës.
Bashkëpunimi është burimi i forcës së Shenzhen-it. Ky qytet i mirëpret me krahët hapur njerëzit nga të gjitha drejtimet, duke tërhequr talente ndërkombëtare nga më shumë se 100 vende e rajone, dhe është bërë një terren për bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta të Kinës me të gjitha palët.
Historia e Shenzhen-it është gjithashtu një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit të Azi-Paqësorit. Duke kapërcyer kufizimet gjeografike dhe dallimet e pikëpamjeve, ekonomitë e Azi-Paqësorit kanë marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin rajonal, duke krijuar “mrekullinë e Azi-Paqësorit” të zhvillimit të shpejtë ekonomik.
Që nga themelimi i tij, APEC-u është karakterizuar nga hapja, inovacioni dhe bashkëpunimi. APEC-u ka udhëhequr gjithmonë procesin e integrimit ekonomik të Azi-Paqësorit dhe e ka ndihmuar Azi-Paqësorin të bëhet rajoni më dinamik dhe një motor i rëndësishëm i rritjes ekonomike globale.
Që kur mori statusin e vendit organizator të takimit të APEC-ut këtë vit, Kina ka organizuar më shumë se 300 takime dhe aktivitete në 16 qytete, ku kanë marrë pjesë aktivisht mbi 10 000 përfaqësues nga ekonomitë e ndryshme anëtare, duke dhënë kontribut për arritjen e më shumë rezultateve të rëndësishme gjatë “Vitit të Kinës”. Në takimin e nesërm ne do të diskutojmë mbi masat për të zgjeruar hapjen e ndërsjellë, për të kërkuar rrugët e rritjes së nxitur nga inovacioni, për të zgjeruar mundësitë për bashkëpunimin pragmatik në fusha të ndryshme dhe për të promovuar zbatimin e më shumë rezultateve. Unë mirëpres diskutimin me palët e ndryshme lidhur me planin e bashkëpunimit të Azi-Paqësorit, për të nxitur zhvillimin e rajonit.”

