Shenzhen, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, u bëri thirrje liderëve të vendeve pjesëmarrëse në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Shenzhen të Kinës, të ndërtojnë një model ekonomik që garanton prosperitet të përbashkët, në vend të një sistemi ku disa vende fitojnë dhe të tjerat humbasin.
Gjatë fjalimit në seancën plenare të takimit të 33-të të forumit, ku marrin pjesë 21 shtete, Sheinbaum theksoi se zhvillimi nuk duhet të matet vetëm përmes rritjes ekonomike, por edhe përmes përmirësimit të kushteve të jetesës dhe uljes së varfërisë.
Ajo solli si shembull Meksikën, duke deklaruar se më shumë se 17 milionë qytetarë kanë dalë nga varfëria.
“Zhvillimi i një vendi nuk duhet të jetë pengesë për një tjetër, por një mundësi për të gjithë”, u shpreh presidentja meksikane.
Sheinbaum u ndal edhe te roli i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, duke theksuar se këto zhvillime duhet të plotësojnë aftësitë njerëzore dhe të lehtësojnë aksesin në teknologji, pa dëmtuar kapacitetet prodhuese të ekonomive të ndryshme.
Ajo kërkoi gjithashtu që bashkëpunimi ndërkombëtar, të mbështetet në respektimin e sovranitetit të shteteve dhe në marrëdhënie të barabarta.
“Investimi në zhvillimin e vendeve të tjera nuk është as një lëshim dhe as një humbje”, deklaroi ajo.
Presidentja konfirmoi se Vietnami do të presë samitin e APEC-ut në vitin 2027, ndërsa Meksika do të jetë vendi organizator në vitin 2028.
Fjalimi përmbylli vizitën e saj në Kinë, ndërsa të hënën Sheinbaum prezantoi planin ekonomik meksikan, “Plan México”, përpara më shumë se 1 000 sipërmarrësve.
Gjatë vizitës ajo zhvilloi takime me presidentët e Kinës, SHBA-së, Vietnamit dhe Kilit, si dhe me kryeministrat e Australisë, Singaporit dhe Kanadasë.
Në takimin me kryeministrin kanadez, Mark Carney, ajo vuri në dukje rritjen me 60% të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve gjatë pesë viteve të fundit.
Sheinbaum u takua gjithashtu me drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. Takimin me presidentin amerikan, Donald Trump, ajo e vlerësoi pozitivisht, ndërsa të dy palët ranë dakord për një takim të ri në kuadër të samitit të G20-s në Mar-a-Lago.

